Lirohet nga akuzat për sulm e kanosje deputeti Adem Hoxha

Prishtinë | 20 Nën 2020 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, të premten, e ka shpallur të pafajshëm deputetin e Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetari i Partisë së Bashkuar Gorane, Adem Hoxha, i akuzuar për sulm e kanosje.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Luan Berisha, nuk është provuar se i pandehuri Hoxha ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Gjykatësi Berisha deklaroi se pas analizimit dhe vlerësimit të të gjitha provave të paraqitura, prokuroria dhe të dëmtuarit nuk kanë arritur të provojnë fajësinë e të akuzuarit Hoxha.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në të drejtën e ankesës, pas marrjes me shkrim të aktgjykimit.

Para shpalljes së aktgjykimit, në seancën e së premtes janë dhënë fjalët përfundimtare për këtë rast.

Fjalën e tij përfundimtare prokurori Beqë Shala e ka dorëzuar në formë të shkruar, ku e njëjta është përkthyer aty për aty në gjuhen zyrtare të palëve, nga ana e gjykatës, në të cilën kërkohet dënimi i të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç se ka qëndruar në tërësi pranë fjalës së prokurorit Shala, i dëmtuari Berzat Berzati ka thënë se veprat penale me të cilat akuzohet i pandehuri janë provuar gjatë seancave të kaluara, për çka dhe kërkon dënimin e të njëjtit, ashtu siç parashihet me ligj.

“Ne nuk jemi zgjuar në mëngjes për të akuzuar dikë. Kjo që na ka ndodhur neve është reale, ne që nga ajo ditë e deri më tani nuk jemi ndier të sigurt, andaj konsideroj se prokuroria dhe ne kemi arritur të provojmë se këto vepra penale kanë ndodhur”, ka thënë i dëmtuari.

“Pasi që është fjala edhe për një detyrë publike, politike, këtu i akuzuari duhet të jetë shembull pozitiv i bashkësisë sonë, e jo të bëjë presion dhe sulme fizike, kërcënime në bashkëkombësit e vet dhe bashkëpunëtoret të tij”, ka vazhduar tutje i dëmtuari.

Ndërsa përfaqësuesi i të akuzuarit, avokati Hajrip Krasniqi ka deklaruar se aktakuza është e pa bazuar, pasi sipas tij, gjatë përpilimit të saj prokuroria është bazuar vetëm në deklarimet e të dëmtuarve, pa ndërmarrë asnjë veprim hetimor paraprakisht.

Sipas avokatit Krasniqi, po të kishin pasur të dëmtuarit goditjet të cilat janë të përshkruara në aktakuzë, do të kishin lëndime fizike, të certifikuara edhe me raport mjekësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mbrojtja me vëmendje shtjelloj fjalën përfundimtare të prokurorisë së shtetit në të cilën vërehet se vetëm me deklaratën e të dëmtuarit pretendon se ka ndodhur sulmi për kanosje, ndërkaq nga deklaratat e të dëmtuarve, në asnjë deklaratë të tyre nuk zë vend fakti se i mbrojturi im të këtë kanosur ashtu siç është përshkruar në dispozitiv”, tha avokati Krasniqi.

“Gjithë dëshmitarët tregojnë se ka pasur përplasje verbale për çështjet e ngritura, të përshkruara edhe si tensione, por asnjë dëshmitar nuk ka deklaruar se i mbrojturi im të ketë sulmuar Fatir dhe Berzat Berzatin”, ka shtuar avokati.

Tutje, sa i përket auto incizimit të transkriptuar, i njëjti tha se nga vetë përmbajtja kuptohet qartë se i mbrojturi i tij nuk dëgjohet dhe nuk është kuptuar që ai të ketë thënë fjalët të cilat janë të përshkruara në dispozitiv.

Ndërkaq, i pandehuri Adem Hoxha ka kërkuar nga prokuroria që ta mbroj atë dhe familjen e tij nga ana e të dëmtuarve Fatir dhe Berzat Berzati, duke kërkuar edhe kthimin e dokumentacionit të partisë dhe kuvendit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokurori Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JPG), në Dragash, me dashje përdor forcë ndaj personit tjetër, pa pëlqimin e atij personi.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë, që derisa të dëmtuarit Berzat Berzati dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Adem Hoxha, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët “ti nuk meriton të më përshëndetësh mua”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës i pandehuri Adem Hoxha është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati “ti del në rrugë, sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejt të qëndrosh aty”.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dal jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin Fatir Berzati.

Bazuar në aktakuzë, me datën, kohën dhe vendin e përshkruar si më lartë, i pandehuri Hoxha, seriozisht i kanos të dëmtuarit Fatir dhe Berzat Berzati, me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe.

Sipas aktakuzës, kanosja bëhet në atë mënyrë që u drejtohet me fjalët “ty dhe vëllain tënd kam me ju zhduk, ju keni me qenë shembull për të tjerët, familja ime është e rrezikshme” dhe kishte vazhduar me tutje me fjalët “ti dhe vëllau yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha, he ja u qn, r*** ”, gjë që, sipas prokurorisë, tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme