Lista e pishmanëve

Prishtinë | 30 Mar 2018 | 08:21 | Nga

Drejtuesit e Listës Serbe ditë më parë njoftuan largimin nga Qeveria e Kosovës, por në mbledhjen e së enjtes ka marrë pjesë ministri Dalibor Jevtiq. Ky i fundit nuk foli as për dorëheqjet e as për largim nga ekzekutivi. Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli thotë se partia më e madhe serbe nuk largohet nga Qeveria, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Pavarësisht deklaratave të prera të përfaqësuesve të Listës Serbe të bëra ditëve të fundit se do të largohen nga Qeveria, ende nuk është bërë e qartë nëse ky subjekt do të heqë dorë përfundimisht nga pushteti qendror.

Ndonëse pas arrestimit të Marko Gjuriq (shef i Zyrës Serbe për Kosovën) Lista Serbe doli me reagime të ashpra, gjatë ditës së djeshme përfaqësues të këtij subjekti kanë lënë të hapur mundësinë për dialog me koalicionin qeverisës.

Një gjë të tillë e ka mirëpritur edhe kryetari i Qeverisë Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se vetëm nëpërmjet bisedimeve mund të arrihet zgjidhja, shkruan tutje “Zëri”.

Se Lista Serbe nuk do të largohet nga Qeveria është shprehur i vendosur edhe numri dy i Qeverisë Behgjet Pacolli, i cili për “Zërin” ka thënë se ekzekutivi do të vazhdojë të funksionojë siç ka bërë deri më tani.

Kurse duke folur rreth qëndrimit të Listës Serbe se do të dalë në opozitë, Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Progresive Serbe, është shprehur skeptik nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme