“Lista e Referendumit” – Mbi 40 kandidatë që garojnë me VV-në dikur ishin anëtarë në parti tjera

Prishtinë | 25 Jan 2021 | 20:17 | Nga Ekonomia Online

Lista e kandidatëve për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka sjellur më së shumti befasi në këto zgjedhje. Përfshirja e disa emrave që nuk pritej, e madje në dhjetëshen e parë, u komentua mjaft shumë. Emrat si Avni Dehari, Vasfije Krasniqi, Shqipe Selimi e Donika Gërvalla u interpretuan si një veprim simbolik i Kurtit për të prekur kategori të ndryshme të shoqërisë.

Por një gjë që i ka ikur vëmendjes së publikut është fakti që nga 110 kandidatët e kësaj liste, 40 nga ta janë ose kanë qenë anëtarë të partive të tjera.

Fillimisht, 14 kandidatë të kësaj liste janë pjesë e Listës “Guxo” të Vjosa Osmanit. Kjo e fundit, Donika Gërvalla, Haxhi Avdyli, Faton Peci, Doarsa Kica, Burim Karameta, Jeta Statovci, Rrustem Leti, Nasuf Bejta, Ekrem Mustafa, Gresa Bytyqi, Blerim Gashani, Leonora Sfarqa e Nita Bakalli, janë “guximtarët” që nuk janë pjesë e partisë së Albin Kurtit, por që janë në këtë listë përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi.

Më tej, në listën e Kurtit bën pjesë edhe partia e Mimoza Kusari-Lilës, Alternativa, e cila kishte garuar brenda listës së VV-së edhe në zgjedhjet e vitit 2019. Kësaj here nga Alternativa në listën e VV’së, përveç Kusari-Lilës garojnë edhe Angjelina Krasniqi dhe Ali Tafarshiku.

Arion Thaçi është pjesë e listës së VV-së nga një fraksion i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), të cilët nuk njihen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërsa, numri 4 në këtë parti, Vasfije Krasniqi, është pjesë e kësaj liste duke mos qenë anëtare e partisë së Kurtit. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe vëllai i saj, sikurse u bë e ditur që zonja Krasniqi kishte negociuar edhe me PDK-në për t’u bërë pjesë e listës së tyre.

Derisa këta 19 emra në listën e VV-së nuk janë anëtarë të saj aktualisht, mbi 20 të tjerë që tashmë vazhdojnë aktivitetin politik përkrah Kurtit, më herët ishin pjesë e partive të tjera.

Është Glauk Konjufca, njëri nga njerëzit më besnik të Kurtit sot, i cili në moshë më të re ishte pjesë e partisë së Ramush Haradinajt, AAK. Madje, kanë qarkulluar edhe fotografi nga ajo periudhë kur ai është parë i afërt edhe me forumin rinor të PDK-së.

Në PDK kanë qenë edhe Gani Krasniqi dhe Hydajet Hyseni. Krasniqi që në këto zgjedhe është në dhjetëshen e parë, ishte kryetar i Malishevës nga PDK që udhëhiqej nga Thaçi, derisa Hyseni ishte deputet nga kjo parti. Madje ky i fundit para se të ishte në PDK, ka qenë edhe pjesë e LDK-së dhe LRDK-së.

Hatixhe Hoxha është po ashtu një ish-anëtare e PDK, e madje ajo ka qenë deputete e kësaj partie në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Kosovës, në vitet 2004-2007.

Mirsad Shkreta është një kandidat tjetër që më parë ishte në PDK, e ishte bërë i njohur si i vetmi anëtar i Këshillit të kësaj partie që kishte votuar kundër Hashim Thaçit në zgjedhjen e tij kryetar të këtij subjekti.

Enver Dugolli, një kandidat tjetër, kishte afërsi të vazhdueshme me PDK-në, e edhe sot vazhdon të ketë miqësi me kryetarin e Drenasit nga kjo parti, Ramiz Lladrovcin. Ndryshe, ai është edhe vëllai i Bujar Dugollit, i cili kishte qenë ministër nga AAK e më vonë pjesë e PDK-së.

Shqipe Selimi që këto zgjedhje ka vendin e bashkëshortit të saj Rexhep Selimi, nuk dihet nëse zyrtarisht ka qenë pjesë e AAK-së, por ky i fundit ishe pjesë e partisë së Haradinajt dhe kishte braktisur AAK-në pas koalicionit të saj me LDK-në në vitet e para të pasluftës.

Gëgë Lleshi ka aderuar së fundi në VV dhe është kandidat për deputet, por edhe ky ishte në AAK, e madje nga kjo parti synonte edhe pozitën e deputetit në zgjedhjet e vitit 2019.

Një emër tjetër i rëndësishëm nga partia e Kurtit, nënkryetarja e VV-së Fatmire Kollçaku, ishte pjesë e dy partive para se të aderonte në partinë ku është aktualisht. Ajo ishte në partinë ORA të Veton Surroit, e më pas në AAK-në e Haradinajt. Në AAK, madje kryetar i Degës së Podujevës, ishte edhe Fatmir Humolli, kurse tani kandidon në kuadër të VV-së.

Enver Haliti, ish-drejtor në Komunën e Ferizajit ishte gjithashtu pjesë e AAK-së dhe iu bashkua VV-së kur prishi raportet me kryetarin e kësaj partie, Haradinajn. Haliti ishte edhe deputet në legjislaturën e fundit.

Edhe një kandidat tjetër më herët vepronte nën logon e AAK-së. Është Bajram Mavriqi, i cili ka pasur edhe pozita brenda kësaj partie në Degën e Kamenicës.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci ishte pjesë e AKR-së së Behgjet Pacollit, e madje ishte emër i përfolur si përfaqësuese e kësaj partie në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Gjakovë.

Jahja Koka që është deputet i VV-së vetëm nga legjislatura e fundit, ishte po ashtu pjesë e AKR-së së Pacollit. Në këtë parti jozyrtarisht thuhet se ka qenë edhe kandidatja tjetër për deputete, Nazlie Bala, e cila më herët ishte edhe në PDK.

Në vitin 2014, mbështetës i AKR-së ishte edhe Visar Korenica, i cili në publik mori nam me deklaratat e tij për zhdukjen e Izraelit. Ai kishte qenë edhe kandidat për kryetar të Rahovecit nga radhët e VV-së, në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Liburn Aliu është njëri ndër themeluesit e VV-së, por kjo nuk ishte partia e parë për të. Ai ka qenë në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), që dikur kishte liderë Avni Klinakun dhe dëshmorin Bahri Fazliu. LKÇK ishte ndarë më vonë në Lëvizjen për Integrim e Bashkim (LIB) me në krye Smajl Latifin, dhe Lëvizjen për Bashkim (LB), e cila në zgjedhe e vitit 2010 ishte pjesë e listës së VV-së, kur kjo e fundit garonte për herë të parë në zgjedhje. LB atëbotë drejtohej nga Avni Klinaku dhe kishte fituar 2 ulëse në Kuvend, por më pas, për arsye financiare ishin prishur marrëdhëniet e tyre me partinë e Kurtit, pasi që këta të fundit refuzonin t’iu ndanin një pjesë të fondit që grupi i tyre parlamentar e përfitonte nga shteti.

Edhe Hysmedin Feraj që synon pozitën e deputetit për herë të tretë nga viti 2010, dhe që vjen nga Shqipëria, ishte pjesë e një partie atje. Ai ishte nënkryetar në partinë Rimekëmbja, e drejtuar nga Abdi Baleta, parti me frymë nacional-islamiste.

Në listën e VV-së ka edhe kandidatë që me herët ishin pjesë e Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt. Është Valon Ramadani, i cili ishte edhe deputet në dy legjislaturat e fundit.

Dyert e listës së VV-së janë hapur edhe për anëtarë nga parti edhe më të vogla. Deputetja e legjislsturës së fundit, Labinotë Demi-Murtezi, ishte pjesë e Partisë së Drejtisë, e udhëhequr nga Ferid Agani.

Një ish-deputet nga legjislatura e fundit, Eman Rrahmani, përflitet si anëtar i dikurshëm i LDK-së, të cilit i kanë qarkulluar edhe fotografi nga aktivitetet e tij në këtë parti. Ndonëse aderimet nga LDK në VV kanë qenë të rralla, në këtë listë bën pjesë edhe Jeton Lajqi, i cili me herët ishte pjesë e partisë së Isa Mustafës.

Në listë ka edhe emra të tjerë që kanë qenë pjesë e dikastereve të ndryshme qeveriare dhe kanë pasur afërsi me partitë që ishin në pushtet, por nuk dihet zyrtarisht se kanë pasur angazhim direkt në këto parti./GazetaExpress

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme