Lista Serbe edhe në pushtet, edhe në opozitë

Prishtinë | 12 Pri 2018 | 08:13 | Nga

Ministrat nga Lista Serbe në Qeverinë e Kosovës po vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre, ndërkohë që deputetët e këtij subjekti politik kanë kaluar në ulëset e opozitës. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk i ka pranuar dorëheqjet e ministrave serbë dhe se pret kthimin e plotë të Listës Serbe në pushtet, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ani pse Lista Serbe ka deklaruar se është larguar nga koalicioni qeverisës dhe që nga ajo kohë deputetët serbë janë radhitur në ulëset e opozitës në Kuvend, ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës janë duke e kryer detyrën e tyre, megjithëse nuk po marrin pjesë në mbledhjet e ekzekutivit.

Kështu zëvendëskryeministri dhe ministri për Kthim e Komunitete Dalibor Jevtiq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq, dhe Nenad Rikalo ministër i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, po vazhdojnë të kryejnë detyrën në këto dikastere qeveritare, shkruan më tutje gazeta “Zëri”.

Kjo është konfirmuar dje nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se ministrit serbë vazhdojnë të qëndrojnë në krye të detyrës pasi ai nuk e ka pranuar dorëheqjen e tyre.

Kurse njohësit e çështjeve politike këtë veprim të Listës Serbe e shohin si një lëvizje strategjike në këmbim të plotësimit të kushteve.

Ata thonë se Lista Serbe në këtë mënyrë po i shfrytëzon pozitat udhëheqëse në Qeveri, ndërkohë që në Kuvend koalicioni qeverisës s’mund të llogarisë në votat e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme