Lista Serbe, faktor edhe në qeverisjen e ardhshme

Prishtinë | 10 Qer 2017 | 14:56 | Nga

Lista Serbe ka gjasë që edhe për një mandat të jenë pjesëmarrëse e taborit qeverisës edhe përkundër të bëmave të saj gjatë legjislaturës së pestë. Kështu të paktën thonë njohës të çështjeve politike në vend, të cilët parashohin se Lista Serbe do jetë përsëri faktor në ekzekutivin e ardhshëm, shkruan “Zeri.info”.

Madje, sipas analistëve qëndrimi i këtij subjekti i dirigjuar nga direktivat e Beogradit karshi Kosovës nuk do ndryshojë. Që i bie se, stopimi i proceseve madhore për vendin nga ky subjekt do vazhdojë.

Në anën tjetër, politologët mendojnë se Lista Serbe duhet të mbetet jashtë Qeverisë, sipas tyre, blloqet politike duhet të bëjnë koalicion me subjekte tjera serbe duke përjashtuar LS-në. Kurse, blloku politik i cili përmendet nga politologët për lidhjen e koalicionit të mundshëm me LS-në është PAN.

Kujtojmë se deputetë e ministra të këtij subjekti serb gjatë legjislaturës së kaluar kanë bllokuar procese jetike për vendin, si ai i formimit të ushtrisë, dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Madje, për tetë muaj rresht zëvendëskryeministri, ministrat dhe deputetët e Listës Serbe kanë bojkotuar institucionet në shenjë kundërshtimi për miratimin e Ligjit për “Trepçën”.

Derisa, këto të bëma nuk janë të fundit, Lista Serbe në fushatën elektorale të zgjedhjeve të parakohshme qendrore në spotin e saj e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë. Duke lënë të nënkuptohet se qasja e këtij subjekti karshi Kosovës nuk ka ndryshuar aspak.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme