Lista Serbe injoron mbledhjen e Qeverisë ku po diskutohet për Specialen

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Lista Serbe e ka injoruar mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku po diskutohet rreth aktakuzave të Gjykatës Speciale.

Në mbledhjen e sotme nuk ka marë pjesë zëvendëskryeministri Goran Rakiç.

Ndryshe, Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti mbledhjen e sotme e ka filluar duke folur për aktakuzat e Speciales.

Hoti ka thënë se si shumë herë, edhe tash Kosova është duke u përballur me sprova.

 “Si shumë herë më parë gjatë historike jemi përballur me sprova, kapërcimi i të cilave dëshmon pjekurinë tonë shtetërore. Zhvillimet e fundit si rezultat i konfirmimit të aktakuzave, në mesin e të cilëve edhe presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi e ish-kreu i Kuvendit, Kadri Veseli e deputeti Rexhep Selimi, të gjitha këto zhvillime e kanë vënë shtetin në sprovë”, ka thënë ai.

Kryeministri tha se e vlerëson qëndrimin e tyre për t’iu përgjigjur drejtësisë.

“Përshëndes gatishmërinë e tyre, qëndrimin dhe kulturën institucionale që dëshmon se Kosova i beson drejtësisë dhe bashkon me drejtësinë pa asnjë hezitim. Si kryeministër dhe si qytetar t’i hedh një vështrim përpjekjeve tona që kemi bërë për të arritur te liria që gëzojmë. Në vitin 98-99 bota po shihte gjenocid mbi popullin e Kosovës. Sot dy dekada më pas kjo ndërhyrje shpëtimtare kujtohet si një akt i humanizmit të lartë ndërkombëtarë. Andaj ne do të jemi përherë mirënjohës vendeve mike që na ndihmuan në cistet më kritike të historisë tonë. Ne do të punojmë bashkërisht për të forcuar institucionet, e ardhmja qëndron mbi gjithë ne, ne secili në detyën e vet do të jemi në shërbim të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Të ngjashme