Lista Serbe kërkon që Vidovdani të jetë në kalendarin e festave zyrtare

Prishtinë | 17 Tet 2018 | 11:39 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lista Serbe po kërkon që në Ligjin për festat zyrtare, 28 qershori që njihet si festa e Vidovdanit, të jetë festë zyrtare. Këtë kërkesë kjo parti e bëri të ditur në Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje lokale dhe Media, kur po shqyrtoheshin në parim ndryshimet e Projektligjit për festat zyrtare, raporton Ekonomia Online.

Ky propozim u kundërshtua nga kryetari i këtij komisioni, Nahit Hasani, pasi sipas tij, ky komision nuk ka të drejtë ta bëje një gjë të tillë. Ai madje propozoi që Dita e Evropës të hiqet si festë bashkë me atë të ditës së punës.

Ndaj këtij kundërshtimi reagoi propozuesja e Listës Serbe, Jasmina Zikoviq, e cila deklaroi se kështu nuk po respektohen të drejtat e komunitetit serb në vend dhe se me këtë nuk po e provokojnë askënd.

Me mendimin e Hasanit u pajtua edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka, i cili këtë propozim e quajti propozim të pastër të Listës Serbe.

Madje ai tha se kjo parti bashkë me VV-në nuk po e njohin shtetin e Kosovës, prandaj një propozim i tillë iu duket absurd.

“S’kam asgjë kundër festave serbe. Vetëm sa nuk kemi bërë festë për syneti. VV dhe Lista Serbe nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Është shumë provokative dhe tepër fyese për shqiptarët që jetojnë në Kosovë kur bashkëqytetarët e tu vijnë në Kosovë me fotografi të Millosheviqit”.

“Ju na i keni vra një numër të madh të qytetarëve edhe ne pak. Nuk kemi pas mundësi më shumë se ‘suxhuk’ iu kishim bo”, tha ai.

Zekës iu kundërpërgjigj deputeti i Vetëvendosjes, Adem Mikullovci, duke reaguar për faktin se pse partinë që ai e përfaqëson ia krahasoi me Listën Serbe.

“Nuk është aspak e hijshme me e krahasua Vetëvendosjen me Listën Serbe”.

I të njëjtit mendim ishte edhe Imet Rrahmani nga LDK-ja, i cili deklaroi se nuk e voton amendamentin e shtimit të kësaj feste në listën e festave zyrtare.

Edhe deputeti i AAK, Rasim Selmanaj e ka kundërshtuar futjen e 28 qershorit si festë zyrtare.

Kjo çështje u përcoll për në Kuvend, me vërejtjen që si komision parlamentar nuk e përkrahin datën e 28 qershorit të shënohet si festë memoriale.

Të ngjashme