Lista Serbe merr aminin e Aleksandar Vuçiqit

Prishtinë | 15 Sht 2021 | 20:28 | Nga Ekonomia Online

Të prirë nga kryetari Goran Rakiq një delegacion i Listës Serbe u takua në Beograd me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit me dyer të mbyllura Rakiq, që është ministër në qeverinë e Kosovës, tha se lideri serb u dha përkrahje të madhe kandidatëve të Listës Serbe për kandidat për kryetar dhe kryetare të komunave në zgjedhjet e 17 tetorit.

Një vendim se a do të jenë pjesëmarrës në këto votime nuk u mor, përkundër qëndrimit se mund të ketë bojkot në rast se nuk kthehet në rigjykim vendimi për deputetin Ivan Todosijeviq.

Todosijeviqit së pari nga shkalla e parë pastaj nga ajo e dytë gjyqësore iu konfirmua dënimi me dy vjet burgim. Ai e pati quajtur “trillim” masakrën që forcat serbe e bënë më 1999 në Reçak.

Kjo çështje, por edhe ajo tjetra e paralajmërimit nga Prishtina se do të ketë masa reciproke ndaj Beogradit për targat e makinave, ka ngritur alarm te Lista Serbe.

“Nëse vjen deri te realizimi i këtyre planeve atëherë “gota mbushet” dhe populli serb do të detyrohet të çohet e t’i mbrojë të drejtat e tij dhe për këtë arsye jeta në Kosovë dhe vetë funksionimi i institucioneve kosovare kthehet dhjetë vjet pas. Në këtë mënyrë ne po përpiqemi të mbijetojmë e qëndrojmë”, tha pas takimit Igor Simiq, nënkryetar i Listës dhe deputet i Kosovës.

Ndryshe të mërkurën gjithandej Kosovës është zbatuar thirrja nga Serbia që të vendosen flamujt për nder të 15 shtatorit që është Dita e Simbolit Trengjyrësh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme