Lista Serbe, ndërmjet pushteteve në Prishtinë dhe Beograd

Prishtinë | 04 Jan 2020 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Lista Serbe është parti politike e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, por në esencë ajo koordinon ose i përçon qëndrimet politike të Qeverisë së Serbisë, pa e pasur një politikë të veten autoktone, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike.

Lista Serbe, që nga themelimi i saj në vitin 2013, me mbështetjen e plotë të autoriteteve të Beogradit, e deri më sot ka marrë pjesë në institucionet e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, me moton për të mbrojtur dhe avancuar interesat e komunitetit serb në Kosovë, por duke deklaruar publikisht se e ndjekin tërësisht politikën e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, thotë se lojaliteti i verbër i Listës Serbe ndaj autoriteteve të Beogradit dhe politikave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë vënë këtë subjekt politik në pozitën që t’iu bishtnojë interesave të vërteta të komunitetit serb, të cilin ata e përfaqësojnë në institucionet e Kosovës.

Përvoja e deritashme tregon që Lista Serbe, gjysmën e kohës e ka shpenzuar jashtë institucioneve të Kosovës, duke i bojkotuar ato dhe nuk e ka shfrytëzuar gjithë kohën për t’i përfaqësuar interesat e komunitetit serb, përmes realizimit të programit të tyre.

“Është mjaft problematike se sa ata njerëz janë në gjendje që t’i artikulojnë në mënyrë autonome interesat e komunitetit serb në Kosovë, e sidomos kur Zyra (për Kosovën) dhe Qeveria e Serbisë, nuk janë fare të gatshme që të lejojnë atë autonomi. Në këtë segment, del që lëvizjet e tyre për bojkotimin dhe daljen nga institucionet kanë pasur dy qëllime bazike”, transmeton REL.

“Qëllimi i parë, që të vërtetohet prania e serbëve, e sidomos të autoriteteve të Serbisë në Kosovë dhe në institucionet e kësaj të fundit, si dhe qëllimi i dytë, që të prolongohet normalizimi i plotë dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit”, tha Janjiq.

Ai ka shtuar se Lista Serbe është bashkëfajtore që nuk është formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për shkak se statutin e tij nuk ia kanë prezantuar opinionit.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë refuzuar t’i përgjigjen pyetjes së Radios Evropa e Lirë se sa do të jetë e vështirë për ta që në përbërjen e re të institucioneve të Kosovës, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, të mund t’i përfaqësojnë interesat e komunitetit serbë të Kosovës, duke mbrojtur politikat e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme