Lista Serbe nuk komunikon me presidentin

Prishtinë | 16 Nën 2017 | 08:18 | Nga

Drejtuesit e Listës Serbe kanë ngrirë çdo formë të komunikimit me presidentin e vendit Hashim Thaçin, vendim ky që u bë i ditur përmes një letre drejtuar të parit të vendit për shkak se, siç thonë ata, politika e këtij të fundit është kundërkushtetuese, jo e drejtë dhe e dëmshme për popullin serb, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Në anën tjetër, zyrtarë të kabinetit të presidentit Thaçi thonë se një veprim i tillë i drejtuesve të subjektit më të madh politik serb është i paqëndrueshëm.

Madje, sipas tyre, prapa kësaj letre nuk qëndron askush tjetër përpos qeverisë së Serbisë.

Në letrën e Listës Serbe mes të tjerash thuhet se ata këtë vendim po e marrin për shkak të të drejtës që ata kanë, e drejtë kjo që u është dhënë në zgjedhjet parlamentare dhe në ato lokale, shkruan tutje “Zëri”.

“Rezultatet që kemi arritur në zgjedhjet parlamentare dhe lokale na japin të drejtën dhe legjitimitetin për t’i marrë të gjithë hapat demokratikë që i kemi në dispozicion për ta përmbushur misionin tonë politik”, thuhet në letër.

Lista Serbe po proteston ndaj përgjegjësisë së Thaçit, siç thonë ata, për shkak të “pozitës së keqe të serbëve në Kosovë dhe si nënshkrues i Marrëveshjes së Brukselit ai nuk bëri asgjë për ta mundësuar krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme