Lista Serbe nuk pranon kushtëzimin e Asociacionit me ushtrinë

Prishtinë | 09 Jan 2018 | 08:17 | Nga

Lista Serbe kërkon t’i jepet fund pritjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por ka dallime me partnerët kryesorë qeverisës sa i përket rrugës që do të ndiqet për themelimin e Asociacionit.

Serbët insistojnë që udhërrëfyes i vetëm për themelimin e Asociacionit të jenë marrëveshjet e Brukselit, por jo edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin konstatohen shkelje në të shtatë kapitujt e Marrëveshjes për Asociacionin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Së fundi ka pasur deklarata të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës se është duke u diskutuar me Listën Serbe për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.

Sipas burimeve të gazetës brenda Qeverisë, pjesë e diskutimeve është edhe Asociacioni, përkatësisht që të përshpejtohet themelimi i tij, në këmbim të përkrahjes së Listës Serbe për ushtrinë. Në zyrën e kryeministrit nuk janë përgjigjur nëse po zhvillohen diskutime të tilla, as për rrugën që do të ndiqet deri në themelimin e Asociacionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme