Lista Zgjedhore e LDK-së u miratua në mënyrë unanime, thonë Veliu e Hoti

Prishtinë | 18 Maj 2017 | 20:38 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtues të Lidhjes Demokratike thonë se lista e kandidatëve të kësaj partie është miratuar në mënyrë unanime nga Këshilli Drejtues, me vetëm dy vota kundër dhe një abstenim.

Këshilli, po ashtu, ka miratuar kandidaturën e Avdullah Hotit për kryeministër, si dhe lidhjen e koalicioneve parazgjedhore me AKR-në e Behgjet Pacollit dhe disa parti të tjera më të vogla.

I kandiduari për kryeministër, Avdullah Hoti, tha se LDK-ja është plotësisht unike për kandidaturën e tij, sikurse dhe për listat zgjedhore.

“Uniteti që është treguar sot… më jep shpresë se kjo do të jetë listë fituese”, tha Hoti, raporton Ekonomia Online.

Kurse, nënkryetari Agim Veliu saktësoi se kundër listës së propozuar kanë votuar kundër vetëm dy anëtarë të Këshillit Drejtues, kurse një ka abstenuar.

Veliu nuk ka komentuar aktin e dorëheqjes së Fatmir Sejdiu nga posti si kryetar i nderit.

Ai, po ashtu, nuk është përgjigjur nëse Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte gruaja më e votuar e LDK-së, është pjesë e listës.

“Nesër do t’i merrni vesh detajet”, tha Veliu, për gazetarët.

Osmani, Bulliqi e Salihaj jashtë listës së LDK-së

Por burime nga mbledhja e sotme tregojnë se Vjosa Osmani nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së.

Deputetë të legjislaturës së ardhshme nuk do të jenë as Shpejtim Bulliqi, kundërshtari më i zhurmshëm i demarkacionit, dhe ish-zëvendëskryeministri Adem Salihaj.

Të ngjashme