Listës Serbe s’i intereson Demarkacioni, veç Asociacioni

Prishtinë | 27 Shk 2017 | 08:33 | Nga

Drejtues të Listës Serbe nuk e vlerësojnë të nevojshme pjesëmarrjen në seancën e Kuvendit kur do të votohet për Demarkacionin me Malin e Zi. Ata thonë se nëse ka konsensus mes subjekteve politike shqiptare, miratimi i kësaj Marrëveshjeje nuk varet nga votat e deputetëve serbë.

“Ajo që është e sigurt është fakti se nëse ka një konsensus të shqiptarëve në Kuvend, nuk do të ketë nevojë për votimin e serbëve për ratifikimin e Marrëveshjes së Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë për “Zërin” Slavko Simiq nga Lista “Serbe”.

Ai megjithatë pranon se për shkak të Demarkacionit fati i Kosovës është vënë në pikëpyetje. “Tema rreth Demarkacionit është e kompleksuar rreth së cilës ende nuk ekziston një konsensus brenda dy partive më të mëdha shqiptare, PDK-së dhe LDK-së, pra është në pikëpyetje se në çfarë drejtimi do të shkojë Kosova në periudhën e ardhshme”, ka shtuar ai.

Simiq ka potencuar se tema kryesore e Listës Serbe, në të cilën ky subjekt po fokusohet, është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe. “Për ne tema kryesore do të jetë formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, sidomos për faktin se përmes saj dëshirojmë të nisemi në drejtim të marrjes së vendimeve të rëndësishme për bashkësinë serbe, por edhe përgjithësisht për shoqërinë në Kosovë”, thotë ai.

Ky i fundit madje thotë se Asociacioni duhet të themelohet në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e jo, siç thotë ai, sipas kufizimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se koalicioni qeverisës ende nuk i ka të sigurta votat e Listës Serbe për Demarkacionin. “Unë nuk mund të flas me kompetencë për këtë çështje, sepse nuk kam parë deklarime të deputetëve dhe partive politike. Nuk është për mua asgjë e sigurt për faktin se Lista Serbe akoma nuk është deklaruar se do të kthehet në Parlament, dhe pse ka biseda me ta”, ka thënë Haliti. (Zeri)

Të ngjashme