Lladrovci: Çka po pret Albin, pse nuk po e shkarkon Rakiqin?

Prishtinë | 03 Gus 2022 | 20:25 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pas komenteve të fundit nga Lista Serbe, të cilët shprehën interesim për rrëzimin e Qeverisë Kurti pas ngjarjeve në veri të vendit.

Në një postim në Facebook, Lladrovci ka kërkuar nga Kurti që të shkarkojë ministrin për Kthim dhe Komunitete nga radhët e Listës Serbe, Goran Rakic, duke thënë se kryeministri nuk duhet të presë.

“Çka po pret Albin? Pasi ministri kompetent e profesional e vlerësoi ‘Listën Serbe’ si ‘parti të devalvuar’ dhe parti që ‘bashkëpunon me grupet kriminale’, çka po pret Albin, shkarko Rakicin dhe të emëruarit e tij në Qeveri dhe trupat e tjera ekzekutive”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka thënë se bashkëjetesa politike me ata që bashkëpunojnë me grupe kriminale është bashkëqeverisje e çoroditur.

“Ka dy rrugë, ose nuk janë të sakta konstatimet se ata ‘bashkëpunojnë me grupe kriminale’ dhe janë deklarata kuturu, ose ju bashkëqeverisni me bashkëpunëtorët e krimit me vetëdije dhe kështu ju bëni krim”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka kërkuar nga Kurti që t’i përgjigjet së paku kërcënimit të Rakiçit.

Të ngjashme