Lladrovci iu reagon kryetarëve nga radhët e Vetëvendosjes: Komunat nuk janë në fushatë zgjedhore!

Prishtinë | 04 Sht 2022 | 20:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Laldrovci, me një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se tani për tani nuk janë zgjedhjet lokale, dhe se disa çështje nuk do duhej të politizoheshin.

Ky reagim i Lladrovcit erdhi pasi që 4 kryetarë të komunave që udhëhiqen nga VV-ja u bashkuan sot me shqetësimin se përse nuk ka filluar viti ri shkollor.

I pari i Drenasit ua rikujtoi atyre se me cilën bazë ligjore funksionojnë Komunat, dhe se ku janë të përfaqësuara ato.

Lladrovci shprehu shqetësimin se disa çështje po politizohen.

E për këtë ai përmendi se komunat e udhëhequra nga VV-ja janë raste tipike.

Deklarimet e sotme të kryetarëve të Shtimes, Podujevës, Kamenicës dhe Gjilanit, Lladrovci i pa me syrin se këta janë duke synuar politizimin e grevës.

Postimi i plotë:

Komunat nuk janë në fushatë zgjedhore!

Pushteti lokal funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe ligjore, përkatësisht Ligjit për vetëqeverisjen lokale. Komunat si hallkë shumë e rëndësishme e pushtetit, janë të përfaqësuara në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK), si mekanizëm koordinues i shumë problematikave të komunave, e para së gjithash të qytetarëve.

AKK ka ngritur dhe ngritë probleme të shumëta, përtej ndasive politike dhe partiake, në interes për qytetarët dhe komunat (jo të partisë), ka qenë dhe është interesi që na bashkon.

Por, kohëve të fundit ka tendenca të politizimit dhe të çështjeve që nuk do të duhej të politizoheshin.

Rast tipik i politizimit të një numri të vogël të komunave (4 sosh) të kryetarëve të komunave, ishin paditë e komunave, për kontrata të nënshkruar nga ish ministrat e papërgjegjshëm – të arsimit dhe të shëndetësisë. Këto kontrata po shkaktojnë humbje milionëshe në buxhetet komunale edhe ashtu të varfëra dhe pa përkrahje nga niveli qendror.

Një rast i tillë është, po ashtu edhe me tendencën për politizim (nga po këta kryetarë) i grevës dhe presionit për mbajtje të mësimit.

Edhe ne kryetarët tjerë jemi shumë pro mbajtjes së mësimit dhe fillimit të tij sa më parë, po ashtu e mbështesim dhe e mirëpresim çdo iniciativë për dialog social dhe gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme ndërmjet Qeverisë dhe kërkesave sindikale.

Andaj, të gjithë duhet ta dinë se komunat nuk janë në fushatë zgjedhore!

Të ngjashme