Lladrovci: Marrëveshja gjithëpërfshirëse nuk mund të arrihet pa SHBA-në

Prishtinë | 28 Gus 2022 | 21:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar për marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë për dokumente.

Lladrovci, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se “11 vjet ishin terr i zi për të vetëkënaqurit”.

“Me arritjen e djeshme, le ta ruajnë optimizmin për avancimin e shtetit tonë deri në fund, historia e Kosovës as ka filluar, as mbaron me këtë marrëveshje. Kosova është storje suksesi, Kosova është zemër”.

Tutje ai ka thënë se është e vështirë të jesh burrështetas sepse në ditë e sotëm është shumë e lehët të jesh politikanë sepse “vetëm burrështetasit i përballojnë fyerjet e linçimet, pa drojë për veprimet e veta largpamëse, kjo u pa dje, pas 11 vjetëve. 11 vjet zi e terr, për tri orë, u zbardh e vërteta”.

E marrëveshjet teknike, Lladrovci i quan si “barrikada”.

“Këto marrëveshje teknike, janë barrikada të vogla para çështjes madhore, njohjes së ndërsjellë”.

Lladorvci ka thënë se Kurti ka ndryshuar narrativen politike sepse po bënë “marrëveshje me zëdhënësin e Millosheviqit, por nuk do të quhen tradhtar”.

Mirëpo ai ka thënë se asnjë e drejtë e Kosovës pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kishte pasur mundësi të realizohet dhe pa përkrahjen e tyre as nuk mund të realizohet.

Lladrovci shtoi se pa papërfshirjen e ShBA-ve nuk do të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse e cila për të është, “më e vlefshmja, pas luftës tonë çlirimtare, shpalljes së Pavarësisë dhe vendimit të GjND-së.

Bashkimi Evropian njoftoi më 27 gusht se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për eliminimin e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje.

Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.

Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.

Ndërkaq, më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e makinave. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Të ngjashme