Lufta kundër korrupsionit, kusht për viza

Prishtinë | 29 Kor 2016 | 19:53 | Nga

Rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos të nivelit të lartë, tashmë janë shndërruar në kusht për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian, për liberalizim të vizave.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka konfirmuar se tashmë janë trajtuar 33 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë dhe se “janë ngritur dhe 19 akuza”. Siç ka theksuar ai, “të gjitha akuzat janë të nivelit të lartë, duke përfshirë nga ministrat e deri tek zyrtarët e lartë shtetëror”. Por, pohimet se janë ngritur 19 aktakuza për zyrtarë të profilit të lartë i ngrehin dilemat nëse këta zyrtarë i takojnë këtij profili, vlerësojnë zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsion, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka shprehur mendimin se aktakuzat e tilla është dashur të bëhen publike, në mënyrë që qytetarët t’i dinë ato.“Ne disa prej tyre po i kuptojmë nga mediet dhe nga informatat zyrtare, por nuk e di se cilat janë ato raste të profilit të lartë. Do të thotë, bindja ime është se numri është më i vogël. Atëherë, pse prokuroritë nuk i publikojnë saktësisht se kundër kujt është ngritur aktakuza? Më pastaj, mbetet pjesa e gjykimit. Nuk do të doja kurrë, as si qytetar i Kosovës e as si udhëheqës i institucionit, që këto të përfundojnë dhe të mbeten vetëm me aktakuza, por të jenë këmbëngulës prokurorët që t’i bindin gjyqtarët që edhe ata të sjellin aktgjykime meritore dhe të vlefshme, dhe përveç gjykimeve penale të ketë edhe konfiskim të pasurisë”, ka thënë Preteni.

Ndërsa Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se prokuroritë dhe gjykatat, si institucione, kanë marrë vendime për t’i trajtuar me prioritet rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar të profilit të lartë, por, bazuar në gjetjet e institutit që ai drejton, kjo nuk po ndodhë. Sipas tij, deri më tash është parë se në muajt e fundit ka veprime procedurale në drejtim të ngritjes së aktakuzave, por, siç thotë ai, nëse veprohet si në të kaluarën, nuk mund të priten rezultate pozitive.

“Është dëshmuar deri më tash që janë bërë persekutime të ndryshme, ku janë nxjerrë zvarrë zyrtarë të ndryshëm publik për korrupsion të nivelit të lartë, por të cilët, pasi janë akuzuar në gjykata, kanë dalë të pafajshëm. Nëse këto rezultate do të vazhdojnë të dëshmohen në gjykata, atëherë kjo do të jetë thjeshtë edhe një rezultat shumë i keq, që në fakt, nuk do t’i bindë as Evropën e as Shtetet e Bashkuara të Amerikës se është duke u bërë diçka në luftën kundër korrupsionit”, është shprehur Musliu.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është hapur për diskutim edhe në takimet e ndihmës sekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, me zyrtarë e lartë shtetërorë të Kosovës, në kuadër të vizitës së saj në Prishtinë. Ajo ka porositur se deri në vjeshtë duhet bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Komisioni Evropian, në maj të këtij viti, kërkoi thellimin e luftës kundër korrupsionit.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova duhet të përfundojë me dënimet e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar.

Hasan Preteni ka deklaruar se është dëshpërues fakti që institucionet intensifikojnë luftën kundër korrupsionit vetëm kur këtë ua imponojnë faktorët nga jashtë. “Duhet të punojmë pa marrë parasysh se çfarë sinjali dhe çfarë detyre marrim nga jashtë. Në asnjë mënyrë nuk pajtohem që në këtë rast gjyqësori të intensifikojë punën, sepse kjo qenka kërkuar nga dikush nga jashtë. Kjo duhet të jetë punë permanente, punë e vazhdueshme, punë që duhet të ketë progres në vazhdimësi, por edhe të ketë më shumë transparencë dhe llogaridhënie. Transparencë, do të thotë, duke i publikuar aktakuzat dhe aktgjykimet, si dhe llogaridhënie, duke i detyruar këta titullarë të institucioneve që për punën e vet të japin llogari”, ka thënë Preteni.

Por, Betim Musliu është shprehur i mendimit se konkretizimi i rezultateve në luftë kundër korrupsionit, siç është thënë deri në vjeshtë, është mision gati se i pamundur. Gjatë dhjetë viteve të punës së Agjencisë Kundër Korrupsion janë bërë mbi 700 kallëzime penale, që kanë implikuar mbi 1 mijë e 500 zyrtarë të niveleve të ndryshme, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të nivelit të lartë, drejtues të institucioneve të larta dhe nga gjyqësori, bëjnë me dije zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë.

Vetëm gjatë vitit 2015, Agjencia Kundër Korrupsionit ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake në gjithsejtë 354 raste, prej të cilave 56 prej tyre janë bartur nga viti paraprak, kurse gjatë vitit 2015 janë pranuar edhe 298 raste të reja. Prej tyre 126 raste, janë përcjell në Prokurori dhe Polici për procedim të mëtutjeshëm, 14 raste janë përcjell në organet kompetente administrative me kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore, 132 raste janë mbyllur, ndërsa 82 raste janë në procedurë.

Numri i përgjithshëm i informacioneve anonime të trajtuara është 54. Gjatë vitit raportues, Agjencia ka trajtuar gjithsejtë 134 raste të iniciuara sipas detyrës zyrtare.

Të ngjashme