Lufta për kolltukun e LDK-së

Prishtinë | 30 Kor 2019 | 08:11 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë të shtunë mban Kuvendin Zgjedhor, përderisa emrat e pesë kandidatëve po lakohen se janë në garë për t’u ulur në kolltukun e partisë më të madhe parlamentare në vend, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Emrat e pesë kandidatëve po lakohen se janë në garë për kreun e LDK-së dhe kandidaturat pritet t’i bëjnë publike në Kuvendin Zgjedhor, i cili do të mbahet këtë të shtunë.

Ndonëse ende zyrtarisht nuk dihet se cilët janë kandidatët për kryetar të LDK-së mësohet se Isa Mustafa po synon ta marrë edhe për një mandat drejtimin e partisë. Për të marrë përgjegjësinë e liderit të LDK-së është shprehur i gatshëm edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu. Po ashtu në opinion po lakohet edhe emri i kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Hazirit, i kreut të Podujevës Agim Veliut, si dhe i deputetes Vjosa Osmani.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, emri i të cilit është lakuar shpeshherë si kandidat potencial për të parin e LDK-së, për “Zërin” ka thënë se vetëm në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së do ta bëjë të ditur nëse synon ta marrë postin e kreut të partisë.

“Procesi i brendshëm zgjedhor në LDK ka shkuar shumë mirë. Kandidaturat ende nuk janë shpallur, ato do të paraqiten në Kuvend dhe unë ambiciet e mia do t’i shpreh po aty, në Kuvend”, ka thënë Veliu.

Në rast të moskandidimit të tij, Veliu nuk tregoi nëse ka një kandidat të cilin do ta përkrahë për të parin e LDK-së. Ai theksoi se çdo gjë do të bëhet publike më 3 gusht..

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme