Abdixhiku: Skandali me ambasadorin në Slloveni është arsyeja e vërtetë qe pushteti po e refuzon Komisionin Hetimor për rrymën

Prishtinë | 23 Pri 2022 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për rastin e Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, për të cilin mediet sllovene po raportojnë se është përfshirë në një skandal të madh financiar atje.

Ai e ka lidhur këtë rast me refuzimin e Vetëvendosjes për formimin e Komisionit Hetimor në Kuvend për energjinë, duke thënë se kjo është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit për këtë.

“Asnjë arsyetim refuzues i tyre nuk kishte kuptim. As arsyetimi i luftës në Ukrainë, prandaj – merreni me mend – s’duhej të bëhej ky hetim; as preteksti i ligjshmërisë së nënshkrimeve nuk kishin kuptim. Vetëm një hall i madh prodhonte arsyetime të pashpresa si këto. Por sa më i zëshëm refuzimi i tyre, aq më i domosdoshëm bëhej insistimi ynë. Sot, hetimi parlamentar nuk ka alternativë. Ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë. Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se ambasadori Berishaj duhet të tërhiqet menjëherë.

“Bojkoti ynë votues në Kuvend, nuk merr fund pa formimin e Komisionit Hetimor për Energji. Sepse s’ka ligj, s’ka temë e s’ka çështje tjetër më me rëndësi se sa kjo me energji. Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë. Deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i Komisionit Hetimor, e shkarkimi i Bordit të Rregullatorit – që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave – janë hapa të parë në këtë drejtim”, ka shkruar Abdixhiku.

Të ngjashme