Lushaku: Pavarësisht arsyeve, Kosova s’duhet munguar në dialog

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Analistja politike, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se përkundër arsyeve Kosova nuk duhet të mungojë në tryezën e dialogut kur organizohet nga BE-ja.

Ajo tha se Qeveria Kurti duhet të jep më shumë përgjigje për publikun për qërndrimin që ka karshi këtij procesi dhe konditat kryesore që mban, njofton Klan Kosova.

“Intensifikimi i dialogut do të duhej të bënte mes Kosovës dhe BE-së dhe të transmetohej vullneti i Kosovës për të marrë pjesë në dialog, nëse vërtet është qëndrimi i Qeverisë dhe pastaj të mos vijë situata që Kosova të tërhiqet nga dialogu ose të mungojë aty ku është paraparë nga ana e BE-së”.

“Serbia është shumë e kujdesshme dhe është proaktive gjatë gjithë kohës për procesin e dialogut, edhe kur në Kosovë ka pasë zgjedhje dhe mungesë të institucioneve. Serbia e ka shfrytëzuar këtë për takime intensive dhe për të lobuar për pozitat e saj. Prandaj, është e rëndësishme të merren në konsideratë të gjitha këto dhe që të mos vijë në një situatë kur Kosova mungon në një takim, pavarësisht arsyeve se pastaj krijohet një hapësirë tjetër e komentimit të kësaj mungese në dëm të Kosovës. Nuk është e rëndësishme se për çfarë arsyeje jemi duke munguar”.

Deklaratën e sotme të kryeministrit Kurti se nuk do të merr pjesë në takimin e përmendur nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell, Lushaku po e sheh si moskoordinim nga ana e institucioneve të Kosovës me BE-në.

“Si ka qenë e mundur që Borrell të deklarojë se do të ketë një takim derisa institucionet e Kosovës nuk e kanë pasë asnjë ide për këtë. Kërkohet vjetet një intensifikim i kontakteve dhe të mos vijë në këso deklaratash edhe në të ardhmen sepse dialogu do të jetë intensifikues dhe i gjatë”.

Të ngjashme