Lushaku: Qëllimi i vizitës së Lajçak është marrja e konfirmimit për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi

Prishtinë | 01 Mar 2021 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Profesoresha universitare Jehona Lushaku, ka thënë se qëllimi i vizitës në Kosovë i Emisarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak, është marrja e konfirmimit nga pala kosovare për vazhdimin e dialogut.

Lushaku në një lidhje direkte në Info Magazine në Klan Kosova tha se Kosova duhet të jap mesazhin që është partnere në këtë proces dhe nuk tërhiqet nga dialogu.

“Po, kjo është një vizitë e rëndësishme e një emisari që ka për mandat që të ndërmjetësoi ndërmjet Kosovës dhe të Serbisë. Është e rëndësishme për t’u thënë që është deklaruar deri më tani nga z.Lajçak, që të marrë konfirmimin nga të dyja palët për vazhdimin e rifillimit të dialogut në mes të dyja vendeve dhe besoj që do të insistoj në vënien e kohës dhe rifillimit të këtij dialogu”.

“Është shumë e rëndësishme që nga ana kosovare të ketë një konfirmim të pjesëmarrjes në këtë dialog dhe të ketë një intensifikim të këtij dialogu. Kosova duhet të japë mesazhin që është partnere në këtë proces dhe nuk tërhiqet nga dialogu”.

Ajo tha se nuk beson se do të ketë diskutime në detaje se si do të mund të duket marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ka rrethana të reja të krijuara pas zgjedhjeve në Kosovë dhe në anën tjetër kemi një Administratë të re amerikane, sikur ka ndërruar pak skema e përgjithshme e partnerëve të involvuar në dialog”.

“Tani kur jemi akoma nuk ka përfunduar numërimi i votave të zgjedhjeve të fundit, nuk janë konfirmuar institucionet dhe nuk ka filluar punën Qeveria, nuk besoj që do të ketë diskutime në detaje dhe as versione se cili mund të jetë epilogu i këtij dialogu”.

“Por, gjithsesi do të mund të ketë tema që mund të involvohen si pjesë e marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Mund të ketë tema për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe çka mund të përmbanin marrëveshjet ndërmjet këtyre dy vendeve”.

Gjithsesi nuk besoj se mund të ketë të versionit final të këtij dialogu.

“Akoma nuk i kemi institucionet e konsoliduara dhe vet ato duhet të krijojnë vizionin për dialogun. Vetë z. Kurti ka thënë më parë disa herë se duhet të ketë rishqyrtim dhe ose ri mendim të dialogut. E kjo bëhet duke involvuar institucionet së bashku me miqtë brenda Bashkimit Evropian dhe jashtë saj sikur Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme