LVV: Drejtësia me standarde të dyfishta

Prishtinë | 23 Tet 2016 | 09:23 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj vendimeve të fundit të gjykatave në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekajt dhe në atë të ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Ukajt.

Sipas këtij subjekti politik, këto dy raste dëshmojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur dhe se punon me standarde të dyfishta.

Deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu në një konferencë për medie ka thënë se vendimet e gjykatave në këto dy raste janë skandaloze, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“Ishim dëshmitar të dy vendimeve të padrejta dhe skandaloze. Të enjten Gjykata Themelore në Prishtinë nxori një aktvendim për mbylljen e seancave gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekajt apo njeriut të klanit “Pronto” përbrenda sistemit të drejtësisë. Pra, Gjykata vendosi që të përjashtojë mediet dhe publikun nga seancat gjyqësore edhe pse me Kushtetutën e Kosovës dhe me Kodin e Procedurës Penale garantohet transparenca dhe publiciteti i seancave gjyqësore”, ka deklaruar Haxhiu duke thënë se kështu ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare po mundohen të fshihen nga publiku.

Rasti i dytë, sipas saj, ishte skandali që ndodhi pardje, ku Gjykata Themelore në Prizren shpalli të pafajshëm drejtuesin e një grupi kriminal, Nuhi Ukajn apo ish-kreun e Gjykatës Komunale në Prishtinë i cili akuzohej për krim të organizuar dhe mashtrim…

”Sistemi i drejtësisë ka marrë rolin e avokatëve apo të mbrojtësve të kriminelëve ose po shërben si lavatriçe e tyre”, ka shtuar deputetja Haxhiu duke thënë se drejtësia po punon me standarde të dyfishta. “Në rastet e personave të afërt me pushtetin, gjykatat po i lënë rastet të vjetrohen, ndërsa në rastet e kundërshtarëve politik, si anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, rastet nuk vjetrohen”, tha ajo.

Ndërsa Ish-avokati i Popullit, tani anëtar i “Vetëvendosjes”, Sami Kurteshi ka thënë se gjykatat dhe ekspertët kanë vërtetuar se Nuhi Ukaj ka shkaktuar dëme në vlerë 60 milionë euro.

Prandaj, sipas tij, lirimi i Ukajt është skandaloz. Ai në fund ka thënë se Kosova nuk mund të presë liberalizim të vizave derisa gjyqësori të jetë në këtë nivel.

“Nuk mund të pritet liberalizim i vizave përderisa vazhdimisht në Raportin e Progresit thuhet se Sistemi i drejtësisë në Kosovë është në stadin fillestar”, është shprehur Kurteshi.

Të ngjashme