LVV-ja dhe LDK-ja thellojnë krizën politike

Prishtinë | 18 Jan 2020 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Propozimi i LDK-së për largimin e Glauk Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit në këmbim të marrëveshjes së koalicionit me LVV-në po shihet si i qëllimshëm dhe me tendencë për ta përçarë partinë e Kurtit.

Kjo ofertë, e cila po konsiderohet e papranueshme për LVV-në, mund të çojë në dështimin e marrëveshjes bashkëqeverisëse LVV – LDK. Nga Vetëvendosja theksojnë se nëse koalicioni nuk lidhet, opsion e kanë edhe qeverinë e pakicës.

Që nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës kur u zgjodh Glauk Konjufca kryeparlamentar kanë ndërruar pozitat e negocimit për bërjen e qeverisë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dy partnerët potencialë për lidhjen e koalicionit qeverisës pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit kanë zhvilluar vetëm tri takime, të cilat kanë qenë pa rezultate. Por pas ndërprerjes së takimeve LVV-ja e LDK-ja vazhdimisht kanë shkëmbyer oferta për bashkëqeverisje, të cilave nuk u janë përgjigjur pozitivisht asnjëra palë.

Edhe propozimi i fundit për bërjen e qeverisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë i papranueshëm për Vetëvendosjen. Kërkesën e LDK-së për largimin e Konjufcës nga pozita e kryekuvendarit dhe dorëzimin e kësaj pozite te partia e Isa Mustafës deri në zgjedhjen e presidentit, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti e ka cilësuar si jodemokratike. Kurti ka thënë se Vetëvendosja nuk e shkarkon Konjufcën nga ajo pozitë, porse nëse LDK-ja dëshiron një gjë të tillë e ka mundësinë ta shkarkojë me votat e ish-PAN-it.

Kërkesa e LDK-së po shihet si pengesë për bërjen e qeverisë, meqë ajo vetë me votat e deputetëve të saj e kishte zgjedhur Glauk Konjufcën në krye të Kuvendit. Njohësit e çështjeve politike theksojnë se oferta e fundit e LDK-së është joparimore, meqë me propozim të Vetëvendosjes e ka pasur mundësinë ta zotërojë këtë pozitë, por nuk ka pranuar. Kërkesa e tanishme që ta rikthejnë postin e kryeparlamentarit, sipas tyre, ka për qëllim ta dëmtojë unitetin e brendshëm të partisë së Kurtit.

“Propozimi i fundit i LDK-së është ‘Kali i Trojës’, që tenton ta godasë unitetin e brendshëm të LVV-së dhe në të njëjtën kohë të ketë në dorëzani Glaukun që LVV-ja ta mbështesë kandidatin e propozuar nga LDK-ja për president të vendit. LDK-ja e ka synimin e qartë, në secilën situatë dëshiron që pozitën e presidentit ose të ushtruesit të detyrës së presidentit (përmes kryetarit të Kuvendit në rast të dështimit të procedurës për zgjedhjen e presidentit të ri) ta ketë për vete. Kjo i siguron LDK-së pushtet mbi proceset politike në vend pas zgjedhjeve të reja, kurdo që të ndodhin ato”, ka thënë analisti politik Blerim Vela.

Edhe qeveria e pakicës është opsion për LVV-në

Marrëveshja bashkëqeverisëse mes LVV-së e LDK-së nuk po duket në horizont edhe më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve. Dy liderët e partive ende nuk kanë arritur të dakordohen për një koalicion qeverisës. Mirëpo nëse përpjekjet për marrëveshje dështojnë përfundimisht, nga Vetëvendosja theksojnë se në opsion e kanë edhe qeverinë e pakicës. Kështu ka deklaruar anëtari i Kryesisë së LVV-së Xhelal Sveçla, ndonëse nuk e mohon se do të përpiqen deri në fund për një dakordim qeveritar. “Ne po insistojmë në një marrëveshje të drejtë me LDK-në si partner në qeverisje dhe do të tentojmë që deri në fund ta arrijmë. Edhe qeveria e pakicave është një opsion, por ne jemi të vendosur të punojmë drejt një marrëveshjeje me LDK-në”, ka thënë ai.

Mirëpo ai tha se meqë oferta e fundit e LDK-së ka qenë e papranueshme për Vetëvendosjen, LDK-ja duhet ta shqyrtojë edhe një herë ofertën e LVV-së së 13 janarit, të cilën e quajti gjeneroze.

Dorëheqja e Konjufcës e bën përgjegjëse LDK-në për formimin ose jo të qeverisë

Analisti politik Agon Maliqi është shprehur se nëse Glauk Konjufca do ta sakrifikonte veten për ta formuar qeverinë, atëherë përgjegjësia për bërjen e saj ose edhe për dështimin do t’i kalonte LDK-së. “Me zotimin për dorëheqjen e tij mund t’i rikthejë negociatat në binarët fillestarë dhe ta kthejë topin/presionin te LDK-ja, si dhe t’u krijojë hapësirë atyre në LDK që janë për marrëveshje. Këtu pastaj do të mundë ta shohim përfundimisht se kush e ka seriozisht koalicionin dhe kush po shtiret”, ka thënë Maliqi.

Ai thekson se Konjufca gëzon respekt mbipartiak dhe se tash e ka mundësinë ta konfirmojë një gjë të tillë duke lënë postin e kryeparlamentarit për hir të tejkalimit të ngërçit politik. “Nuk e di a ka moment më të përshtatshëm për Glaukun që ta konfirmojë këtë profil publik dhe të shpenzojë pak nga kapitali i vet brenda partisë, duke e sakrifikuar veten si çelës për daljen prej krizës ose edhe me miratimin e heshtur të partisë (si mënyrë për të dalë me nder nga kriza). Personalisht mendoj se Glauku e meriton të jetë kryetar i Kuvendit dhe një prej arsyeve është se duket nga ata njerëzit që e kuptojnë përgjegjësinë e pushtetit”, ka deklaruar Maliqi.

Vetëvendosja ende pa datë se kur do ta dorëzojë emrin e mandatarit te presidenti

Ka gati një muaj prejse është formuar Kuvendi i Kosovës. Një ditë më pas presidenti i vendit Hashim Thaçi kishte kërkuar nga Albin Kurti që si lider i partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit t’ia dorëzojë emrin e mandatarit për kryeministër. Ndonëse pati një takim me të, Thaçi ende nuk e ka marrë emrin e të nominuarit të Vetëvendosjes. Nga kjo parti kanë thënë se një gjë e tillë do të bëhet brenda afateve, por pa dhënë një datë. “Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që sa më parë ta kemi qeverinë e re, ndërkaq siç është theksuar në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes përbrenda afateve dhe pa ndonjë vonesë Lëvizja Vetëvendosje sigurisht se do ta dërgojë emrin e mandatarit ashtu siç parashihet me Kushtetutën e vendit dhe me këtë rast ne do ta njoftojmë opinionin publik me kohë kur do ta dorëzojmë emrin e mandatarit”, ka thënë zëdhënësi i LVV-së Arlind Manxhuka.

Thaçi, i gatshëm të marrë veprime kushtetuese për ta emëruar mandatarin

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kërkuar që sa më shpejt të bëhet propozimi për mandatarin, në të kundërtën ai ka thënë se do të ndërmarrë veprime kushtetuese për formimin e institucioneve. Thaçi ka deklaruar para medieve se shpreson në vullnetin e mirë të spektrit politik që të gjendet një zgjidhje në përputhshmëri me votën e qytetarëve. “Unë shpresoj në vullnetin e mirë të spektrit politik që të gjejnë zgjidhje politike në përputhshmëri me votën e qytetarëve më 6 tetor, shpresoj që kjo zgjidhje të jetë sa më e shpejtë. Në anën tjetër do të ndërmarrë të gjitha hapat kushtetues dhe ligjorë”, shtoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme