LVV: Po degradohet lufta e UÇK-së

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 14:54 | Nga

Në një komunikatë për media që ka bërë Lëvizja Vetëvendosje ka thënë që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke u degraduar.

Në njoftimin për media thuhet se edhe pas 16 vite mbesin të pa dënuara krimet sistemike të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe derisa krimi organizuar e korrupsioni në vendin tonë po zhvillohen të papenguara nga sistemi i drejtësisë, EULEX-i i ka caktuar vetes misionin e njollosjes dhe kriminalizimit të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto vendime sipas Vetëvendosjes janë skandaloze nga Gjykata e Apelit për konfirmim të dënimeve në rastet e ashtuquajtura “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, janë pjesë e fushatës denigruese ndaj UÇK-së, e cila për qëllim përfundimtar ka përgatitjen e kushteve për krijimin e Gjykatës Speciale.

Kjo vjen pikërisht nga EULEX-i, i cili nuk e njeh as luftën çlirimtare dhe as pavarësinë e Kosovës dhe, njëkohësisht, nuk i jep llogari as institucioneve të shtetit e as qytetarëve të Republikës sonë, kanë shkruar Vetëvendosje.

Sipas tyre përpjekjet e tilla për njollosjen dhe kriminalizimin e luftës së popullit të Kosovës për liri e çlirim, janë të pashkëputshme nga përpjekjet për rehabilitimin e krimeve të organizuara dhe sistematike që kreu Serbia në Kosovë. Gjykata Speciale sipas LVV do të ketë mandat për ta gjykuar UÇK-në edhe për gjenocid, është krijesë e iniciuar nga Serbia dhe e pranuar nga qeveria jonë servile, në funksion të ndryshimit të së vërtetës historike për krimet e Serbisë ndaj popullit tonë dhe për luftën tonë çlirimtare.

Lëvizja Vetëvendosje dënon ashpër vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit dhe çdo veprim të tillë që ka synim njollosjen, degradimin dhe kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare. Ne insistojmë që të gjitha rastet individuale të krimeve që mund të kenë ndodhur, duhet të trajtohen nga gjykatat tona vendore ashtu siç trajtohen të gjitha krimet ordinere, dhe në asnjë mënyrë të krijojmë gjykata ndërkombëtare që kanë synim ndërkombëtarizimin e tregimit, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme