Maja Kocijanciq: Kosova dhe Serbia të rrisin angazhimin e tyre në dialog

Prishtinë | 07 Jan 2019 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Ekipi negociator i Kosovës është ftuar që më 8 janar të zhvillojë një takim në Bruksel.

Delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedime me Serbinë, në krye me Fatmir Limajn e Shpend Ahmetin, mëngjesin e sotëm kanë udhëtuar drejt Brukselit.

Bashkimi Evropian ka ritheksuar se formati udhëheqës i këtij dialogu do vazhdojë të jetë i njëjtë ku dialogu Kosovë-Serbi do të udhëhiqet nga presidentët e dy vendeve.

Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të rrisin angazhimin e tyre në drejtim të dialogut, e gjithë kjo duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete dhe aspiratave të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

Kështu është thënë nga zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijanciq.

Në një prononcim për Indeksonline, Kocijanciq ka thënë se fokusi i BE-së është puna e vazhdueshme në kuadër të dialogut.

Ndryshe nga BE është ritheksuar se dialogu do të udhëhiqet në kudër të presidentëve.

“Fokusi ynë është puna e vazhdueshme në kuadër të dialogut, i udhëhequr nga Presidentët dhe i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëskryetari – për një marrëveshje ligjërisht detyruese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve që do të sjellin një zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e pazgjidhura – një praktikë e qëndrueshme, realiste bazuar në pëlqimin e ndërsjellë dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe BE-në, një zgjidhje të pranueshme për të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, ka thënë Kocijanciq.

Gjithashtu është bërë e ditur se BE mirëpret miratimin e rezolutës nga Kuvendi i Kosovës, ku u bë emërimi i ekipit negociues për dialogun Kosovë-Serbi, ku përfshihen edhe partitë opozitare.

Bashkimi Evropian ka inkurajuar të gjithë akterët politikë dhe civilë në Kosovë që të punojnë në mënyrë konstruktive me këtë platformë të unifikuar në mbështetje të dialogut në nivel të lartë të udhëhequr nga presidentët.

“Shpresojmë se do të japë një kontribut të rëndësishëm në bisedimet mbi një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Në fund të fundit, dialogu i takon dy palëve që përcaktojnë agjendën, shpejtësinë, thellësinë dhe rezultatin e diskutimeve”, u tha tutje nga zëdhënësja e BE-së.

Ndër të tjerash është thënë se puna e BE-së lidhur me dialogun është në vazhdim e sipër.

“Pra, puna jonë është në vazhdim. Agjenda, formati, ritmi i dialogut vendosen nga të dy palët”, ka përfunduar Kocijanciq.

Votimi i ekipit negociues në Kuvendin e Kosovës ngjalli reagime të shumta pasi nga opozita e vetmja parti e cila iu bashkua qeverisë është ajo e Shpend Ahmetit, Partia Socialdemokrate e cila edhe u kritikua për ‘pazare’ me qeverinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme