Mali i Zi nuk mund ta ndihmojë Kosovën për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 12 Dhj 2016 | 18:06 | Nga

Kosova duhet ta ndërtojë fillimisht pozicionin e vet karshi demarkacionit, para se të kërkojë nga Mali i Zi që ta ndihmojë atë në tejkalimin e bllokadës së krijuar rreth ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare, thonë njohës të së Drejtës Ndërkombëtare dhe analistë politik.

Ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ai i cili i drejtoi një shkresë Podgoricës zyrtare. Përmes kësaj letre, Veseli kërkonte një lloj favori Qeverisë së Malit të Zi, përkatësisht që Podgorica t’i drejtohej Bashkimit Evropian me kërkesën që liberalizimi i vizave për Kosovën të mos kushtëzohet me demarkacionin e kufirit ndërmjet dyja shteteve.

Të dielën, me nismën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në Shkodër të Shqipërisë u realizua takimi ndërmjet Mustafës dhe homologut të tij nga Podgorica, Dushko Markoviq.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se nismat diplomatike janë të mirëseardhura. Por, nuk beson që kjo çështje zgjidhet përmes takimeve të tilla, nëse Prishtina zyrtare nuk e formëson fillimisht pozicionin e vet, përfshirë pushtetin dhe opozitën karshi demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, nga Komisioni Evropian, i është vënë kusht Kosovës për liberalizimin e vizave. Aktualisht, marrëveshja e arritur për shënjimin e vijës kufitare po kundërshtohet ashpër nga opozita dhe një pjesë e deputetëve nga partitë në pushtet, me pretendimin se ajo i ka humbur Kosovës një pjesë të territorit buzë vijës kufitare.

Nisur nga mospajtimet në Prishtinë, analisti politik, Artan Muhaxhiri, mendon se çështja e demarkacionit do të duhej të shkonte në Kuvend, ku do të ratifikohej apo rrëzohej si marrëveshje dhe më pastaj të shihet nëse do të nevojiten negociata shtesë me Podgoricën. Muhaxhiri thotë po ashtu se kryeministri dhe Qeveria e Kosovës, para se të kërkojnë ndihmën e Malit të Zi, duhet të ulen me opozitën në Prishtinë, si mënyra e vetme që procesi të lëvizë nga ‘pika e vdekur’.

Në Qeverinë e Kosovës është konfirmuar se zgjidhja për demarkacionin, si kushti i fundit për liberalizimin e vizave, do të duhej të arrihej gjatë muajit dhjetor. Në të kundërtën, sipas zyrtarëve të ekzekutivit, Kosova do të mbetet, me gjasë, jashtë zonës së lëvizjes pa viza brenda Bashkimit Evropian, edhe në vitin 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme