Mali i Zi nuk do të përfshihet në arbitrazh për demarkacionin

Prishtinë | 28 Sht 2017 | 11:29 | Nga

Podgorica mund të refuzojë kërkesën eventuale të Kosovës që cështja e demarkacionit të shqyrtohet në Arbitrazh ndërkombëtar.

Këtë vlerësim e ka bërë edhe Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell I cili është pyetur nga një qytetar se si e sheh iniciativën e Kryeministrit Haradinaj që çështjen e demarkacionit të dërgojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

O’Connell në përgjigjen e tij thotë, se kushte e kërkuar nga grupi i Shengenit për liberalizimin e vizave duhet plotësuar.

Ai thotë se për Arbitrazh nuk mundet të detyrohet Mali i Zi që të shkojë, pasi marrëveshja është nënshkruar dhe çdo vlerësim ndërkombëtar teknik ka thënë se nuk ka pasur gabime.

“Po e them përsëri që çështja e demarkacionit është çështje bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi. Dhe është grupi i Shengenit, e jo Bashkimi Evropian që ka dhënë kusht për liberalizimin e vizave. Britania nuk është pjesë e grupit të Shengenit por kur dikush parashtron procesin teknik me kushte për të arritur diçka, mendoj që reagimi më i mirë është plotësimi i atyre kushteve. Për arbitrazhin, le të kuptojmë se nuk është diçka që mund të kërkohet apo te detyrohet Mali i Zi që të shkojë në arbitrazh. Ata kanë nënshkruar marrëveshje me Kosovën dhe çdo vlerësim ndërkombëtar teknik ka thënë që nuk ka pasur gabime”, thuhet në përgjigjen e ambasadorit britanik.

Edhe politologu Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se zhbërja e Marrëveshjes aktuale apo edhe dërgimi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit është e pamundur, pasi që pala malaziase nuk do që të përfshihet në asnjë rrethanë në këtë çështje.

“Marrëveshja nuk mund të rinegociohet sepse nuk ka asnjë fakt të ri dhe nuk ka asnjë vërejtje të komisionit shtetëror. Kosova e ka bërë ndërrimin e komisionit që është në të drejtën e Kryeministrit. Por, Kosova, nuk mund t’i ndryshojë kriteret e rinegocimit pa pasur pasoja dhe pa e ditur rezultatin”, thotë Tahiri.

Tahiri thotë se Kosova, në këtë rast Qeveria e saj, duhet të sillet si subjekt i përgjegjshëm dhe të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të mos ketë sjellje si parti politike.

“Vetëm nga fakti se është ndryshuar partia politike në pushtet, prej të cilës vjen Kryeministri, nuk dërgohet çështja në arbitrazh. Këto janë çështje profesionale që Qeveria duhet t’i dijë. Pa pasur objekt kundërshtimi nuk dërgohet çështja në arbitrazh. Unë thjesht mendoj se Kosova po hynë në një rrugë pa krye, për shkak të synimeve politike dhe po i humb konditat shtetërore dhe respektin institucional dhe duhet të respektohen kriteret ligjore dhe kushtetuese”,tha Tahiri.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/mali-i-zi-nuk-do-te-perfshihet-ne-arbitrazh-per-demarkacionin-440193/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme