Maliqi: Ardhja e shefit rus të Sigurisë në Beograd, alarm për destabilizimin e Ballkanit

Prishtinë | 21 Shk 2022 | 09:40 | Nga Ekonomia Online

Vizita e paralajmëruar se shefit të Këshillit rus të Sigurisë, Nikolai Patrushev në Beograd është alarm për ta destabilizuar vendet e rajonit, thotë analisti Agon Maliqi.

Maliqi me anë të një shkrimi në Facebook, thekson vizita e tij është presion ndaj Beogradit për ta përkrahur nismën e Milorad Dodikut për shpërbërjen e Bosnjës e Hercegovinës.

“Në kulmin e tensioneve në Ukrainë, shefi i shërbimeve të sigurisë së Rusisë, [Nikolai] Patrushev, njëri ndër njerëzit më të afërt të [Vladimir] Putinit, këtë javë vjen në Beograd. Synimi, me gjasë, është presioni ndaj Beogradit për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon, mbi të gjitha për ta përkrahur nismën e [Millorad] Dodikut për zhbërjen e Bosnjës, por edhe mundësia për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës”, ka shkruar Maliqi, përcjell Telegrafi.

Ai thekson se, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e mbështet agjendën ruse dhe se sipas tij, Rusia e sheh fatin e Ballkanit si mundësi pazari.

“[Aleksandar] Vuçiq e ka mbështetur agjendën ruse në shumë sfera, por në përpjekje për të balancuar dhe për t’i mbajtur raportet me perëndimin, dhe i vetëdijshëm për pasojat, deri tani është treguar skeptik dhe frenues ndaj Dodikut. Nëse vazhdon t’i rezistojë këtij presioni në këtë moment thyerjesh të mëdha gjeopolitike, pikët e fituara nga Vuçiq në perëndim, veçanërisht në SHBA, janë të larta. Nëse u hyn aventurave, e djeg gjithë mundin diplomatik të një dekade. Në cilëndo rrethanë dhe sido që të zhvillohet, ky konflikt mes perëndimit dhe Rusisë do ta ridefinojë kontekstin e sigurisë në Evropë, ku Rusia e sheh fatin e Ballkanit dhe atë të ish-shteteve Sovjetike si të ndërlidhura – si sfera interesi me mundësi pazaresh dhe shkëmbimesh”, ka theksuar ai.

Po ashtu, sipas Maliqit, Kosova nuk e ka luksin të jetë shpërfillëse ndaj aleatëve.

“Në këtë kontekst, Kosova e mbrojtur nga NATO nuk e ka luksin të vazhdojë me qasjen sovraniste dhe shpërfillëse ndaj aleatëve, duke ndjekur fitore taktike që zgjojnë emocione të momentit (psh. targat, zgjedhjet) dhe duke e humbur perspektivën strategjike. Rezultati i kësaj qasjeje është se Kosovën nuk e pret më kush nga nivelet e larta në SHBA, madje as për kafe në margjinat e konferencës së Mynihut”, ka përfunduar ai.

Si kreu i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev luan rolin jozyrtar të këshilltarit për siguri kombëtare të Putinit.

Një oficer me karrierë i inteligjencës, ai e njeh Putinin që nga vitet 1970, kur të dy punonin së bashku në zyrën e KGB-së së Leningradit, tash Shën Petersburgu. Më vonë ai pasoi Putinin si kreu i FSB-së dhe tashmë që nga viti 2008 është në krye të Këshillit të Sigurisë.

Intervistat e tij e kanë zbuluar atë si një teoricien konspirativ që beson se, fuqitë perëndimore po kërkojnë të shkatërrojnë Rusinë.

“Shtetet e Bashkuara do të donin që Rusia të mos ekzistonte fare si vend”, kishte thënë ai në vitin 2015.

Retorika e tij për Ukrainën, të cilën ai e quan si një “protektorat” i perëndimit, i ngjan asaj të Putinit.

“Në çdo moment, ka potencial që në Ukrainë të ketë tensione të mëdha sa që miliona ukrainas do të ikin për të kërkuar strehim në vende të tjera”, është shprehur ai në një intervistë të fundit për të parashikuar një konflikt të mundshëm.

Patrushev gjithashtu është akuzuar për miratimin e një sërë atentateve dhe operacioneve të paligjshme.

Një hetim i bërë nga Britania e Madhe në vitin 2016, zbuloi se “operacioni i FSB-së për të vrarë [Alexander] Litvinenkon mund të jetë miratuar nga Patrushev”. Burime diplomatike për The Guardian kanë thënë se operativët rusë, që me anë të një puçi, u përpoqën për të rrëzuar Qeverinë e Malit të Zi në vitin 2016, u lejuan të largoheshin nga vendi me aeroplanin e Patrushevit.

Të ngjashme