Maliqi ironizon: Ne mendonim se për integrimin e veriut duhej vetëm dije dhe vullnet, çfarë ndodhi?

Prishtinë | 06 Dhj 2022 | 23:06 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, pas ngjarjeve në pjesën veriore të Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka ironizuar me kryeministrin Albin Kurti lidhur me qasjen e tij të kahmotshme ndaj kësaj zone të banuar me shumicë serbe.

“Krejt na t’u mendu që për me e integru veriun edhe me i siguru njohjet ka pas mungu veç vullnet edhe dije“, shkruan Maliqi duke ia bashkëngjitur postimit edhe një pyetje retorike.

“Kujt ia kish marrë mendja që në realitet kjo punë ish pak ma e komplikume edhe për një lider gjenial“, theksoi tutje ai, duke iu referuar qëndrimeve të Kurtit gjatë kohës sa ishte në opozitë, nga ku akuzonte kryeministrat e mëparshëm se nuk e patën trajtuar këtë pjesë si duhet.

Ndryshe, Kurti më herët gjatë ditës ka thënë se aktiviteti i bandave kriminale në Veri është intensifikuar, sepse ata e dinë “që po iu vije fundi”.

Me një status në Facebook, Kurti ka treguar se do ta rrisë numrin e policëve në atë pjesë të Kosovës.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vije fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore”, shkroi Kurti në Facebook.

“Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”.

Pasditën e së martës, në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut, ka pasur shkrepje armësh e shpërthime, por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

Tensionet janë rritur në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, pasi qytetarët kanë paguar zyrtarët e komisioneve komunale zgjedhore të kenë qasje në zyrat e tyre, ku po përgatiten edhe zgjedhjet komunale.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, bëri të ditur se disa persova të maskuar kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor, madje kanë përdorur edhe granata dore.

“Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente”.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve”, thuhet nga Policia.

Gjithçka po ndodhë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur zgjedhjet në komunat veriore, por partia më e madhe në atë pjesë, Lista Serbe, ka dalur kundër këtyre mbajtjes së tyre.

Të ngjashme