Maliqi: Pas vendimit të LDK-së, Vjosa Osmani ka gjasa reale të zgjedhet Presidente

Prishtinë | 01 Pri 2021 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi dy ditë më parë që të qëndrojë në sallë për votimin e Vjosa Osmanit Presidente.

Në ndryshim nga LDK-ja, dy partitë e tjera opozitare, AAK-ja dhe PDK-ja janë shprehur se nuk do të qëndrojnë në sallë për votimin e Presidentit.

Nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës vetëm 12 vota janë të sigurta nga 15 gjithsej sa ka kjo  parti.

Agim Veliu, Driton Selmanaj dhe Avdullah Hoti nuk dihet akoma nëse do ta votojnë Vjosa Osmanin për Presidente apo do të bojkotojnë seancën.

Por, pas vendimit të LDK-së për të qëndruar në sallë, gjasat janë më reale që Vjosa Osmani të zgjedhet Presidente e vendit,  po thotë publicisti i njohur Shkëlzen Maliqi.

Maliqi në një prononcim për “Gazeta Blic” tha se se nëse do të ishin të gjithë deputetët e LDK-së pro, zgjedhja e Osmanit do të ishte punë e kryer.

“Pas vendimit të Kryesisë së LDK-së gjasat janë më reale për zgjedhjen e Vjosa Osmanit Presidente, por nuk dihet se kush dhe sa do të jenë në sallë. Nëse do të ishin të gjithë të LDK-së do të ishte punë e kryme, sa i përket numrave”

I pyetur se a mund të ndikojë ky vendim i LDK-së, për rritjen e kësaj partie në elektorat, Maliqi u përgjigj kështu.

“Ai është vendimi i tyre, por mundet me qenë më ‘shërues’ për ‘katastrofën’ që kanë përjektu, sesa të vazhdonin me inate. Po shihet se gjysmën e elektoratit e kanë humbur, kanë shku pas Vjosës. Kjo mundet me qenë një lloj hapi që në të ardhmen, që nëse ka ende dallime ideologjike mes Vetëvendosjes dhe grupit të Listës “Guxo” edhe vetë Vjosës, mundet edhe elektorati me u afru prapë me LDK-në”

“Elektorati i LDK-së shpesh ka lëviz kanë shku majtas ose djathtas, po bëhen rreth 16 vjet që ndodh kjo. Mendoj se kjo zgjidhje e LDK-së është me e menqur se me vazhdu me inate dhe e kanë zhgënjy një pjesë të madhe të votuesve të LDK-së” tha Maliqi për Gazeta Blic.

Kandidatura e Vjosa Osmanit për Presidente të vendit, erdhi pas një marrëveshjeje parazgjedhore mes Albin Kurtit dhe kryetares së Listës “Guxo”.

Osmani me Listën “Guxo” kandiduan në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje ku arritën të marrin mbi 300 mijë vota apo shtatë deputetë gjithsej.

Të ngjashme