Malli nga Serbia ka filluar të hyjë, Kurti numëron pikat ku Kosova do të përgjigjet me “reciprocitet gradual”

Prishtinë | 01 Pri 2020 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar pas marrjes së vendimit për reciprocitetin, duke thënë se Kosova ka pasur nevojë që të trajtohet e barabartë. Ai ka numëruar pikat ku do të përgjigjen me reciprocitet gradual.

Kurti ka shkruar në Facebook se nuk ka asnjë arsye legjitime e legave që të pranohet se se shtetasit e Republikës së Kosovës dhe autoritetet tona mund të diskriminohen e pengohen kur ata eventualisht kanë nevojë të ndërveprojnë me autoritetit e Serbisë në kuptimin tregtar, civil apo të ndonjë sfere tjetër ndërshtetërore.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës çdo herë kanë shprehur vullnetin që të trajtohen e trajtojnë barabarësisht nga e me qytetarët e shteteve në rajon. Reciprociteti, si parim e veprim, zgjeron mundësitë e respektimit të ndërsjellë shtetëror e të të drejtave. Nuk ka asnjë zhvillim të qenësishëm të rajonit tonë nëse lejohen përpjekjet që e pozicionojnë si të pabarabartë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Ndaj vendimi ynë afirmon raportet e barabarta ndërshtetërore, respektimin e drejtave universale dhe krijon klimën e drejtësisë në mes shoqërive”, ka shkruar Kurti.

Ai thotë se që nga hyrja në fuqi e CEFTA-s, Serbia ka aplikuar një sërë barrierash tregtare jotarifore ndaj Republikës së Kosovës, duke përfshirë të tillat në tranzit, ato teknike dhe barrierat politike.

“Kështu Serbia ka dëmtuar eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës duke rezultuar me një deficit të lartë tregtar për vendin tonë”, ka thënë Kurti, derisa i ka përmendur masat që Serbia i ka aplikuar në formë të barrierave jotarifore.

“(a) Masa për dokumente dhe praktika që prekin çështjet tregtare, siç janë: (1) kërkesat për certifikata të origjinës dhe dokumentacionit veterinar e fitosanitar për mallrat e eksportuesve dhe importuesve të Kosovës, që e shfrytëzojnë Serbinë vetëm si vend tranzit; (2) vonesat në zbatimin e kërkesave për vlerësimin e cilësisë për eksportet e Kosovës; (3) mosrespektimi i marrëveshjes dypalëshe për etiketim të produkteve midis Kosovës dhe Serbisë, nën patronatin e BE-së; (4) mosnjohja e automjeteve të regjistruara në Kosovë, përfshirë automjetet komerciale, etj. (b) Masa në pengimin e lëvizjes së lirë të personave dhe mosnjohjen e kualifikimeve profesionale, konkretisht mosnjohja e dokumenteve: (1) pasaportat; (2) letërnjoftimet; (3) patentë-shoferët; (4) diplomat; (5) certifikatat; etj. Implementimi i masave të reciprocitetit nga autoritetet e Republikës së Kosovës do të jenë graduale dhe si përgjigje proporcionale me sjelljen e autoriteteve të Serbisë. Parimi i respektit të ndërsjellë duhet të mbizotërojë, në mënyrë që mos të ketë barriera midis dy shteteve. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vullnetin për të zhvilluar e kultivuar marrëdhënie tregtare, me të gjitha shtetet në rajon, pa pengesa të padrejta, mbi bazën e parimeve të pranuara ndërkombëtarisht, në respekt të traktateve ndërkombëtare dhe në respekt të të drejtave themelore të qytetarëve”, ka shkruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme