Maloku: Nuk besoj se Ballkani është në prag lufte, vetëm nëse e nxit Moska për të tërhequr vëmendjen

Prishtinë | 08 Gus 2022 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Politologu Albinot Maloku komentoi përmes një lidhjeje skype deklaratat e fundit të kryeministrit Albin Kurti, që paralajmëroi rrezikun e një lufte të mundshme në Ballkan.

Maloku tha se nuk sheh hapësira për konflikt të armatosur Kosovë-Serbi, pavarësisht tensioneve që janë të pranishme. Megjithatë ai nuk e përjashton si mundësi që Moska të tërheqë vëmendjen nga lufta Rusi-Ukrainë përmes një konflikti në Ballkan.

“Është mëse e vërtete që prej kohësh Policia e Kosovës po sulmohet nga bomba të caktuara në Veri të vendit, që janë kategorizuar nga institucionet e Kosovës si grupe që janë kundër vendosjes së rendit dhe ligjit në atë zonë. Në Veri të vendit ka pasur tensione nga më të ndryshimet. Është një çik hiperbolizim të ngremë paralele. Patëm rastin e konfliktit Rusi-Ukrainë dhe pati një lloj frikë dhe hiperbolizimi për Ballkanin. Nuk besoj që jemi në prag lufte, pavarësisht tensioneve që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë. Asnjë presion kurrë Serbia s’e ka pasur që të bëjë denazifikimin. Nëse nisemi prej vullnetit konfliktuoz të Serbisë, tensione mund të ketë, mirëpo nuk besoj se mund të kemi një luftë në Ballkan”.

Maloku e konsideroi të panevojshëm vendimin e kryeministrit Kurti për shtyrjen me një muaj të reciprocitetit për targat, ndërsa tha se mungon transparenca nga qeveria.

“Aksioni për reciprocitetin me Serbinë dhe vendosja e ligjshmërisë në Veri të vendit, ka pasur një kritikë nga opozita, që pavarësisht të drejtës që kishte qeveria, nuk ka pasur koordinim. Pastaj ambasada amerikane doli sikur e mbrojti qeverinë, sikur pati koordinim, mirëpo kjo shtyrje është e pasqarueshme. Qeveria aktuale kemi pritur se do jetë shumë më transparente se qeveritë e tjera. Unë s’po shoh transparencë të këtij procesi të komplikuar me Serbinë. Kur bëhet një suspendim, jepet një arsye se çfarë do bëhet në atë periudhë një mujore. Nuk kemi një shpjegim nga qeveria s’e çfarë do të bëhet brenda këtij muaji. S’shoh se ka një oksigjen, apo hapësirë të manovrueshme për Kosovën. Edhe ambasadorin amerikan e kanë futur në borxhe, ku nesër dhe pasnesër edhe ai duhet të japë një shpjegim. Besoj që ka qenë i panevojshëm ky suspendim. Qeveria e Kosovës me suspendimin nuk e ka futur veten në plus, por është në një situatë jo të volitshme. Sot kemi një relaksim të pozicionit të Kurtit në raport me ato që ka thënë për çështjet e ndjeshme për Kosovën”.

Ndër të tjera politologu tha se Brukseli ka një dyfytyrësi në raport me Kosovën, si dhe inkompetencë e impotencë në rolin që duhet të luajë në dialogun Prishtinë-Beograd.

“BE ka pasur një përqasje dyfytyrësie në raport me Kosovën dhe Ballkanin. Inkompetencë dhe impotencë në çështjen e dialogut, dhe në konfliktin Kosovë-Serbi s’ka qenë ajo që kemi pritur. BE është i gatshëm në çdo situatë të ketë ashpërsi, kritika, dhe një përqasje jo diplomatike me Kosovën, ndërkohë që në raport me Serbinë shumë çështje shkojnë heshturazi. BE s’tha asnjë fjalë që si është e mundur që në këtë kohë të kemi një personalitet që të ketë qenë pjesë e luftërave (nënkryetari i Parlamentit serb). BE më shumë po i bën favore Serbisë se sa Kosovës. Serbia vazhdon të jete aleate me Rusinë, BE edhe këtë po e kalon pavërejtshëm. Shoh te BE një impotencë dhe joseriozitet të mirëfilltë në shtrëngimin e palëve drejt arritjes së një marrëveshjeje, që nënkupton njohjen reciproke Kosovë-Serbi”.

I pyetur nëse Serbia ka fuqi për luftë?, Maloku tha:

Nuk shoh potencial të Serbisë për të fituar në ndonjë luftë, shoh regres të mendësisë, ose mosndryshim të përqasjes në raport me konfliktet që u shkaktojnë të gjitha vendeve të rajonit. BE shumë më lehtë krijon raporte me Serbinë, vendeve të tjera u vendos kushte. Kushtet që janë vendosur në raport me Kosovën kanë qenë në shumë raste jo korrekte. Serbia është me vullnet të plotë për të mbajtur në tension hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Vetëm nëse ka një isharet nga Moska, për të tërhequr vëmendjen, që të nxisë konflikt këtu. Por nuk shoh hapësirë që të kemi konflikt të armatosur në këtë zonë”.

Sa i takon “Open Balkan”, politologu e konsideroi një proces të dëmshëm si për Kosovën ashtu edhe Shqipërinë, duke theksuar se është për keqardhje nëse Rama s’e kupton që mendësia e Beogradit ka mbetur e njëjta më atë të viteve 90’.

Open Balkan është prej fillimit i zhvlerësuar dhe të gjithë aktorët politikë në Kosovë e kanë parë Ballkanin e Hapur jo të nevojshëm, aspak të shëndetshëm, për situatën ku ndodhet Kosova. Edhe ato pak mendësi politike në Ballkan ta kuptojnë…Mendoj që Mali i Zi dhe Bosnja që provuan të jenë mysafirë, ta kuptojnë që s’përfiton askush, përveç Serbisë. Ta kuptojë edhe z.Rama që prej Ballkanit të Hapur nuk përfiton Shqipëria asgjë, Kosova asgjë, dhe s’është i shëndetshëm as politikisht, ekonomikisht, apo strategjikisht. Nëse Rama s’e kupton që Serbia s’ka ndryshuar, është e njëjta me vitet 90’, kjo është për keqardhje”.

Të ngjashme