Mandati i Speciales nuk kufizohet në kohë

Prishtinë | 21 Nën 2019 | 07:14 | Nga Ekonomia Online

Kohën kur janë rikthyer zërat që kërkojnë rishikimin e mandatit të Gjykatës Speciale pasi ajo t’i ketë mbushur pesë vjet në qershor të vitit të ardhshëm, zyrtarë të saj e kanë bërë të qartë se nuk kufizohen në mandat.

Janë përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta që kanë paralajmëruar ta rikthejnë Specialen në agjendën e Kuvendit dhe të qeverisë së re. Derisa partitë që do ta përbëjnë legjislaturën e shtatë nuk janë deklaruar rreth kësaj çështjeje, zyrtarë të Speciales kanë rikujtuar se mandati i tyre nuk është i afatizuar dhe do të zgjasë derisa të mos ketë një njoftim nga Këshilli i Bashkimit Evropian se kjo Gjykatë ka mbaruar mandatin e vet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo vlen edhe për Prokurorinë e Specializuar. Deri tani prokurorët e Speciales nuk kanë ngritur ndonjë aktakuzë, megjithëse janë intervistuar mbi 250 individë në cilësinë e dëshmitarëve ose të dyshuarve. Shumica prej tyre kanë qenë pjesë e hierarkisë së lartë të UÇK-së.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, i ka thënë gazetës se vazhdimi i mandatit edhe pas qershorit të vitit të ardhshëm është vendosur me ligj dhe i njëjti është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme