MAPL-ja ka informuar Presidentin për dorëheqjen e Agim Veliut, pritet shpallja e zgjedhjeve në Podujevë

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu deri të hënën kishte detyrën e Kryetarit të Podujevës. Ai është emëruar Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në qeverinë e Albin Kurtit e cila u votua më 3 shkurt në Kuvendin e Kosovës.

Agim Veliu ka dhënë dorëheqje me shkrim në Komunën të cilën e ka drejtuar e që nënkupton se në këtë komunë do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar. Nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal kanë thënë për Gazetën Express se kanë pranuar dorëheqjen e Agim Veliut dhe e kanë informuar Presidentin e vendit.

Komuna e Podujevës do të udhëhiqet nga nënkryetari i tanishëm Nexhmi Rudari pas dorëheqjes së Agim Veliut nga posti i Kryetarit.

Nexhmi Rudari nënkryetar i Komunës i pyetur për dorëheqjen formale të Veliut ka thënë për Express se pardje Veliu ka dhënë dorëheqje me shkrim nga detyra e Kryetarit të Komunës.

“Po, ish kryetari Veliu ka dhënë pardje dorëheqje me shkrim të cilën unë e kam proceduar në MAPL me një shkresë zyrtare dje”, tha ai.

Ndërkaq, në uebfaqen zyrtare të Komunës së Podujevës, ende figuron emri i Agim Veliut si Kryetar i Komunës.

Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal i ka thënë sot Gazetës Express se kanë pranuar dorëheqjen e Agim Veliut dhe kanë informuar Presidentin.

“Ju njoftojmë se dorëheqjen e kemi pranuar dhe sot Ministrja e MAPL-së Emilia Rexhepi e ka informuar Presidentin”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Zyra e Presidentit të Kosovës kanë deklaruar se sipas legjislacionit në fuqi, dorëheqja e një Kryetari të Komunës nënkupton shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme jo më vonë se 10 ditë pas dorëheqjes.

Sot është bërë betimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së dhe Zyra e Presidentit janë shprehur se pas kompletimit të këtij institucioni do të ndërmerren hapat tjerë.

“Pasi ta bëjnë betimin anëtarët e rinj të KQZ-së dhe pas kompletimit të këtij institucioni, sapo ta pranojmë njoftimin zyrtar, brenda afatit ligjor do të ndërmerren të gjithë hapat tjerë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Express se nuk dihet se sa do të kushtojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunën e Podujevës.

“Ky nuk është një vit zgjedhor, çka do të thotë se për çfarëdo procesi të mundshëm zgjedhor gjatë këtij viti, KQZ-ja nuk ka mjete të planifikuar për zgjedhje. Në të kaluarën, pra kur janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në një vit jozgjedhor, KQZ-ja bën planifikimin dhe kërkesën buxhetore e përcjellë në Qeverinë e Kosovës. Ne nuk kemi ndonjë planifikim në këtë kohë”, ka thënë ai.

Të pyetur se a ka pasur KQZ-ja konsultime me Zyrën e Presidentit lidhur me datën e shpalljes së zgjedhjeve për Kryetar Komune të Podujevës, nga ky institucion kanë thënë se “Ne nuk kemi zyrtarisht asgjë deri më tani”.

Të ngjashme