Maria Bamieh: Kishte dyshime për mito në rastin e Ilir Tolajt, kishte dy dëshmitarë në shpërthimin e lokalit “Sekiraça”

Prishtinë | 16 Kor 2022 | 11:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-prokurorja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh, të shtunën ka treguar për skandalet e këtij misioni në Kosovë, por edhe për shumë çështje tjera. 13 ditë pasi fitoi rastin gjyqësor me Britanisë së Madhe lidhur me sinjalizimin e aferave të dyshuara korruptive në misionin më të madh të jashtëm të Bashkimit Evropian, EULEX, prokurorja Maria Bamieh, ka folur për përfshirje e zyrtarëve të EULEX-it në afera për mbylljen e rastin penal kundër Ilir Tolajt dhe në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça”, raporton Ekonomia Online.

Gjatë konferencës për medie, Bamieh ka thënë se në shpërthimin në lokalin “Sekiraça” kishte dy dëshmitarë.

Maria Bamieh, derisa punonte si prokurore në EULEX, kishte alarmuar për dyshime për korrupsion brenda këtij misioni ndërkombëtar.

“Për rastin e shpërthimit në lagjen “Bill Clinton”, kisha dy dëshmitarë që thonin se kishin paguar para për Florit, për lirimin e dy personave dhe mua më kritikonin pse kam lejuar dëshmitarët ta thonë këtë në gjyq dhe kjo shkaktoi turbulencë ndaj EULEX-it”, tha ajo për këtë rast.

Bamieh, gjatë një konference për media në Prishtinë, shpjegoi procedurën hetimore që kishte iniciuar ndaj Ilir Tolajt, ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilin tha se e kishte përgjuar me autorizim të gjykatës.

“Unë vazhdova që të kryejë detyrat e mia dhe detyra tjetër ishte që ta ndjek të dyshuarin, zyrtarin e Ministrisë së Shëndetësisë, z. Ilir Tolaj. Ky rast së pari ishte i ngarkuar tek një prokuror gjerman, i cili e kreu misionin dhe unë e mora rastin”, tregoi Bamieh.

“Unë kam pasur përgjime të ligjshme të cilat përfshinin disa ndërhyrje. Kolegu im gjerman i kishte përgjuar këto telefonata por aty nuk ishte dëgjuar të ishin thënë ato gjëra në ato përgjime, por unë pastaj nga një informator dëgjova se Ilir Tolaj e posedonte një telefon në burg dhe pastaj e mora një urdhëresë të gjykatës për përgjimin e atij telefoni të cilin e posedonte Tolaj”, tha ajo.

Bamieh deklaroi se nga përgjimet zbuloi se gjyqtari i rastit të Tolajt po takohej me ndërmjetësues të ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Nga këto përgjime unë dëgjova se gjyqtari francez po takohej me ndërmjetësuesit e z. Tolaj. Ata ishin takuar në Villa Gërmia me gjyqtarin Francesco Flori dhe prokurores Jaroslava Novotna dhe unë u shkova këtyre përgjimeve në detaje. Ato të gjitha ishin të rëndësishme”, tha ajo.

“Ata po mundoheshin që ta zhduknin këtë rast”, tha Bamieh. “Ata donin nga gjyqtari Flori që t’i garantonte atyre që Tolaj do të lirohej dhe se rasti do të përfundonte”.

Bamieh deklaroi se grupi i Tolajt “kishin një aleancë të fortë politike brenda Qeverisë së Kosovës dhe ata në këto përgjime, po i referoheshin këtij politikani të fuqishëm si personi nga Kaltrina”.

Bamieh ka punuar si prokurore ndërkombëtare për EULEX-in në Kosovë, kur ngriti për herë të parë shqetësimet e saj në mes të vitit 2012. Ajo është marrë me krimet e luftës dhe krimin e organizuar.

Bëhet fjalë për ish-kryeprokuroren e EULEX-it, Jaroslava Novotna dhe ish-kryetarin e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesko Florit, të cilët kishin rënë në përgjim të Task Forcës kundër korrupsionit duke komunikuar dhe takuar sekserë të ndryshëm.

Ata, besohet se ishin përfshirë në afera për mbylljen e rastin penal kundër Fatmir Limajt, Ilir Tolajt dhe në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça”.

Të ngjashme