Marrëveshja Kosovë-Serbi për vizitat e zyrtarëve të lartë shpeshherë e pazbatueshme

Prishtinë | 27 Kor 2019 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Marrëveshja për vizitat e zyrtarëve të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit, e cila hyri në fuqi që nga janari i vitit 2014, shpeshherë është e pazbatueshme, çka është dëshmuar edhe në praktikë.

Palët nënshkruese, akuzojnë shpesh njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjes, kurse në disa raste, është kërkuar edhe ndihma e Bashkimit Evropian si lehtësues dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që të ndërmjetësojë.

Në këtë marrëveshje është e specifikuar forma e realizimit të vizitave të zyrtarëve të lartë nga të dy vendet. Në kategorinë e parë janë vizitat e presidentëve, kryetarëve të kuvendeve, kryeministrave, ministrave të jashtëm, atyre të brendshëm dhe të mbrojtjes.

Por, përtej kësaj marrëveshje, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, ka edhe vendime e lista në bazë të të cilave shumë prej zyrtarëve të lartë të të dyja vendeve u pamundësohet realizimi i vizitave. Andaj, përderisa Kosova dhe Serbia të mos arrijnë një marrëveshje finale për normalizimin e raporteve, edhe kjo marrëveshje, sikurse edhe disa tjera tashmë të nënshkruara, në disa raste janë të pazbatueshme.

Në Qeverinë e Kosovës, ekziston një listë e personave, ku përfshihen zyrtarë aktual apo ish-zyrtarë të Serbisë, si edhe poste qeveritare që në vazhdimësi u refuzohet çdo kërkesë për të vizituar Kosovën.

Ndërkaq, në Beograd, shumë nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sot mbajnë poste të larta udhëheqëse në Kosovë, nuk mund të udhëtojnë në Serbi, pasi që janë të dënuar në mungesë nga autoritetet e atjeshme të drejtësisë.

Edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, janë ndër personat që Beogradi i ka në listat e personave të kërkuar dhe dënuar në mungesë. Madje, lëvizja jashtë Kosovës e ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka qenë e sfiduar shpesh edhe nëpër vendet tjera evropiane, për shkak të lëshimit të urdhër-arresteve nga ana e Serbisë, përmes INTERPOL-it.

Kurse në Prishtinë, përveç personave të shpallur si të padëshiruar, Qeveria e Kosovës ende e ka në fuqi edhe vendimin e nënshkruar tre vjet më parë, sipas të cilit, ministrat serbë të Mbrojtjes dhe të Brendshëm e kanë të ndaluar të hyjnë në Kosovë.

Kosova aktualisht po funksionon me një qeveri në dorëheqje, por vendimet që janë marrë më herët janë në fuqi.

Zëvendëskryeministri në dorëheqje i Kosovës, Fatmir Limaj tha për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Jashtme e Kosovës, është kompetente të vendosë për këtë çështje. Kosova është mbështetëse e lëvizjes së lirë, tha Limaj, duke rikujtuar edhe faktin se Prishtina zyrtare po e zbaton edhe politikën e reciprocitetit në raport me Serbinë.

“Kosova ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë për heqjen e çfarëdo pengese, por kjo varet edhe nga pala tjetër. Derisa ka zyrtarë serbë, të cilët kërcënojnë stabilitetin e vendit tonë, kërcënojnë edhe me luftë, kërcënojnë edhe me ushtri, mohojnë krimet e kryera…,[këto] janë çështje të cilat e vështirësojnë këtë komunikim, për të mos thënë e pamundësojnë dhe krijojnë pengesa në lëvizjen e lirë siç po quhet. Prandaj edhe Qeveria e Kosovës, në këtë rast Ministria e Jashtme, secilin rast e trajton veç e veç”, tha Limaj.

Të ngjashme