Marrëveshja për dokumente në Beograd po konsiderohet si fitore e Vuçiqit

Prishtinë | 01 Sht 2022 | 22:21 | Nga Ekonomia Online

Gazetari në Beograd, Idro Seferi, ka thënë se në Serbi po paraqitet si fitore e presidentit Aleksandar Vuçiq marrëveshja e arritur me Kosovën për dokumentet e identifikimit.

Ai, deklaroi se megjithatë lideri serb ka pasë akuza nga një pjesë e opozitës të cilët vlerësojnë se me këtë marrëveshje ka pranuar dokumentet e Kosovës.

“Presidenti Vuçiq dhe Serbia në vazhdimësi pretendojnë se kanë arritur të mbrojnë interesin e Serbisë dhe të vazhdojnë jetëgjatësinë e shtetit të Serbisë në Kosovë, mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë që atyre t’iu lejohet të përdorin dokumentet e Serbisë duke jetuar në Kosovë, pra që për ta të mos jepen këto dokumentet që janë dhënë deri më tani. Pika e tretë të cilën shumica e mediave, analistëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit të Serbisë e kanë paraqitur si një fitore të presidentit Vuçiq, në fakt një kompromis i arritur me insistimin, zgjuarsinë dhe diplomacinë e presidentit Vuçiq”, deklaroi Seferi për Klan Kosovën.

“Nga ana tjetër kemi pasë akuza të vazhdueshme nga pjesë të opozitës, qoftë opozita nacionaliste apo ajo që konsiderohet paksa më liberale në Serbi, se me këtë Vuçiq ka pranuar dokumentet e Kosovës zyrtarisht dhe se këtu nuk bëhet fjalë për reciprocitet, por se Vuçiq ka pranuar kartat e identitetit dhe të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me logon e shtetit të Kosovës”.

Seferi ka thënë se në Serbi flitet se ende rreziku nuk ka kaluar duke iu referuar çështjes së targave për çka akoma nuk ka një marrëveshje.

Ai pohoi se fitorja më e madhe për Serbinë do të ishte nëse gjendet një version në të cilin serbët e Kosovës nuk do të pajisen me targa RKS.

“Serbia ka bërë një ofertë publike që serbët e Kosovës, të paktën në veri, t’i mbajnë targat KS për shkak se ato i ka dhënë dikur misioni i UNMIK-ut pavarësisht që tani autoritetet e Kosovës kanë përgjegjësi për targat, por gjithsesi me idenë që fitorja më e madhe për Serbinë do të ishte nëse arrijnë të gjejnë një zgjidhje që serbët të marrin targa që nuk e kanë stemën e Kosovës, apo akronimin RKS”.

Të ngjashme