Marrëveshja për pensione Kosovë-Zvicër nënshkruhet në pranverë, por aplikimi vonohet edhe disa muaj

Prishtinë | 02 Shk 2018 | 13:57 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënshkrimi i marrëveshjes për pensione ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës pritet të ndodhë në pranverën e këtij viti. Por, aplikimi pritet të marrë kohë gjysmë viti pasi që Parlamenti Zviceran e dërgon marrëveshjen në dy dhoma për shqyrtim, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka shpjeguar Barbara Gysi, anëtare e Komisionit për Politika Sociale në Parlamentin e Zvicrës, e cila mori sot pjesë në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, së bashku me ministrin e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

Reçica tha se nënshkrimi i marrëveshjes për pensione ndërmjet Kosovë-Zvicër pritet të ndodhë në marsin e këtij viti. “Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës për marrjen e pensioneve pritet të bëhet në fund të muajit mars”.

Qytetarëve të cilëve iu takojnë pensionet janë këto kategori: pensionet kontribut-paguese, trusti pensional, pensionet familjare dhe invalidore, ka shpjeguar ministri kosovare, para komisionit të Kuvendit të Kosovës.

“Me këtë marrëveshje që kosovarët që kanë punuar në Zvicër, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të mund të marrin pensionin në Kosovë. Personat që banojnë në Zvicër, dhe kanë të drejtë marrje të pensionit duhet të bëhet transferi i pensionit nga Kosova në Zvicër”, tha ministri i MPMS-së.

“Me këtë marrëveshje, qytetarëve kosovarë të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Konfederatën Zvicerane, do të ju mundësohet, që pas arritjes së moshës të pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë”, tha Reçica. Në anën tjetër, personat të cilët banojnë në Zvicër dhe plotësojnë kushtet për përfitimit të ndonjërit pension sipas legjislacionit të zbatueshëm, pala kosovare është e obliguar që ta eksportoj pagesën e pensionit nga Kosova në Zvicër.

Ndërsa, Barbara Gysi tha se ratifikimi i marrëveshjes pritet të bëhet në pranverë, “por nuk ka muaj të caktuar”.

Ajo tha se edhe pas ratifikimit të marrëveshje, aplikimi i saj merr kohë gjysmë viti pasi që sipas saj Parlamenti Zviceran e dërgon marrëveshjen në dy dhoma për shqyrtim.

“Mundësia për mospranimin e pensionit në Kosovë është stërzgjatur. Këtë pranverë mund ta presim. Nuk e di në cilin muaj, por mund të ndodhë në pranverë dhe pastaj ministri mund ta nënshkruajë. Më pas, duhet të bëhet ratifikimi në Parlamentin e Zvicrës dhe Kosovës. Do diskutohet në Komisionin për Siguri Sociale, pastaj diskutimi shkon edhe në komisionin tjetër. Kjo do të zgjat për gjysmë viti ndoshta, sepse 4 herë në vit kemi sesione parlamentare ku merren vendime”, shpjegoi Gysi.

Të ngjashme