Marrëveshja për targat me Serbinë, Kurti: Reciprociteti është thelbi i çfarëdo zgjidhje të ardhshme

Prishtinë | 18 Pri 2022 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pala kosovare do të ulet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për arritur marrëveshjen përfundimtare për targat vetëm me parimin e reciprocitetit, raporton Ekonomia Online.

Sipas Kurtit, më 21 prill është afati i fundit kur palët do të duhej të merreshin vesh për këtë marrëveshje.

“Më datë 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merreshin vesh për targat, parimi i reciprocitetit do të jetë aty si thelb i çfarëdo zgjidhjeje”, ka thënë Kurti gjatë homazheve që bëri të hënën te shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti.

Më 21 prill skadon afati i Marrëveshjes së përkohshme për targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas marrëveshjes që afat ka 6 muaj, veturat në kufi duhet të mbulojnë simbolet shtetërore me letër ngjitëse, si kur futen në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Kjo marrëveshje i pati dhënë fund bllokadës 12 ditore që serbët kishin bërë në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, të pakënaqur me reciprocitetin e vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Këtij reciprociteti, Kurti tha të hënën se do t’i përmbahen edhe në takimin e 21 prillit në Bruksel.

Të ngjashme