Marrëveshja për targat, Paçarizi: A e kemi pranuar ne që s’kemi sovranitet mbi pjesën veriore të Kosovës?

Prishtinë | 30 Sht 2021 | 18:54 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për targat nga takimet dy ditore që janë zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në marrëveshjen e publikuar nga Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, thuhet se do të hyjnë në përdorim targat e mbuluara me stikersa dhe se do të largohen nga veriut barikadat dhe forcat e Njësisë Speciale.

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që është i rëndësishëm dhe me vend vendimi i qeverisë së Kosovës për vënien e reciprocitetit.

Por sipas tij, problemi do të jetë me pjesën veriore.

“A e kemi pranuar ne që s’kemi sovranitet mbi pjesën veriore të Kosovës”, tha Paçarizi.

“…Për një sjellje me masë të njëjtë në raport me sjelljen nga Serbia, nëse ata do të vënë targa të tjera edhe Kosova do t’i vëjë ato. Kjo është pjesa e mirë e vendimit të Kosovës që ka marrë formën e një marrëveshje, edhe pse se kemi parë marrëveshjen e plotë”.

Ai ka thënë që pika e parë me të dytën të kësaj marrëveshjeje, sipas tij, nuk do të duhej të ishin bashkë “sepse përderisa pika e parë ka të bëjë më një çështje e cila ka të bëjë me të dyjat vendet”.

“Pikën e parë me të dytën nuk do të doja t’i shihja bashkë, sepse përderisa pika e parë ka të bëjë më një çështje e cila ka të bëjë me të dyjat vendet – është aplikimi i reciprocitetit në kuadër të asaj marrëveshjes për lëvizjen e lirë të nënshkruar qysh në vitin 2011, e të vazhduar në vitin 2016 nëse në këtë kuadër futet edhe pika e dytë e cila ka të bëjë me largimin e njësisë speciale dhe me aranzhimet e tjera. Kjo është problematike pasi kjo marrëveshje mund të interpretohet në mënyra të ndryshme varësisht nga palët. Për shembull, mund të interpretohet nga Serbia që sa herë Kosova ka nevojë të dërgojë forcat speciale në territorin e saj – në pjesën veriore mund të ketë reaksion siç ka paralajmëruar Vuçiq dhe situata mund të tensionohet”.

“Ky element do të mund të përdoret nga Serbia për ta sabotuar marrëveshjen – ashtu siç nuk e ka zbatuar marrëveshjen nga vitit 2016, sepse veturave nga Kosova me rastin e kalimit në Serbi pavarësisht se kishte ekzistuar një marrëveshje e vitit 2016 për vënien e stikersave Serbia se ka zabtuar këtë, por i ka ndërruar tabelat. Serbia se ka zbatuar një marrëveshje të nënshkruar nga vitit 2011 dhe pse duhet ta bëjë tash”, u shpreh  Paçarizi.

Të ngjashme