Marrëveshjen e dështon kundërpesha për presidentin

Prishtinë | 03 Dhj 2019 | 08:05 | Nga Ekonomia Online

Dallimet që i kanë për hisenë në pushtet kanë bërë që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike (LDK) të mos e finalizojnë të hënën marrëveshjen për koalicion qeverisës, ndonëse mbërritjen e saj e kishin paralajmëruar një ditë më parë. Burime të Kohës Ditore kanë thënë se pengesë është bërë kërkesa maksimaliste e LDK-së.

Sipas një burimi, vetë marrëveshja për koalicionin është vënë në pikëpyetje, pas insistimit të LDK-së për t’i takuar asaj posti i presidentit dhe që të mos japë si kundërpeshë për këtë, as edhe një ministri.

“LDK-ja është duke e kërkuar postin e presidentit, të kryeparlamentarit, të zëvendëskryeministrit dhe pesë ministri. Në anën tjetër, LVV-ja ka rënë në kërkesën që, për postin e presidentit, kësaj t’i ofrohet një ministri më shumë. Pra, që dikasteret të mos ndahen pesë me pesë, por gjashtë me katër për LVV-në”, ka thënë ky burim. “Nëse mbeten në këto pozicione, marrëveshje nuk do të ketë. Në këtë situatë vendi shkon në zgjedhje të reja”.

Liderët e të dyja partive kanë realizuar takim të hënën, pas të cilit nuk kanë dalë në disponimin që e kishin pas takimeve kur i negocionin aspektet që lidheshin me programin qeverisës.

Albin Kurti, kryetar i LVV-së dhe kandidat për kryeministër, ka shprehur shpresën se marrëveshja do të ndodhë.

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, po kështu ka kumtuar mungesën e marrëveshjes. Ai ka refuzuar të japë detaje për çështjet që janë bërë pengesë në avancimin e negociatave për koalicionin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme