Matoshi: PAN-i do ta formojë Qeverinë, të tjerat janë llafologji

Prishtinë | 13 Kor 2017 | 14:54 | Nga

Anëtari i ri i AAK-së, Halil Matoshi, ka thënë se votuesit i kanë dhënë të drejtën koalicionit PAN për formimin e Qeverisë.

Matoshi po ashtu i është kundër përgjigjur zyrtarëve nga koalicioni LAA dhe VV-ja që thanë se mbledhja konstituive po shtyhet për shkak se PAN është në krizë, e për këtë ai thotë se koalicioni fitues PAN nuk e thirr seancën këtë e bënë presidenti i shtetit në bazë të Kushtetutës.

“Sovrani ia ka dhënë të drejtën (dhe për këtë vlen presedani i verdiktit të Gjykatës Kushtetuese më 2014) koalicionit PAN që ta ndërtojë Qeverinë që do ta drejtojë vendin në katër vjetët e ardhshme nën drejtimin e Ramush Haradinajt dhe në këtë aspekt gjithçka është në rregull”, ka thënë Matoshi, në një prononcim për “Gazetën Blic”.

“Koalicioni fitues i zgjedhjeve PAN nuk e thirr Seancën Konstituive por këtë e bën Presidenti i shtetit në bazë të Nenit 66 të Kushtetutës, dhe seanca konstituive mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit”.

Më tutje, Matoshi ka thënë se Haradinaj e ka konfirmuar se Qeveria e tij do të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës konform me Kushtetutën e vendit, me së paku 61 deputetë.

Sipas tij, ekziston edhe një rregull i pashkruar që seancën ta drejtojë deputeti më i moshuar i zgjedhur, e që në këtë legjislaturë është deputeti i VV-së, Adem Mikullovci.

“I nominuari i koalicionit per Kryeministër zoti Haradinaj tashmë e ka konfirmuar se Qeveria e tij do të votohet në Kuvendin e Republikës konform me Kushtetutën e vendit, me së paku 61 deputetë.. Të tjerat janë ende llafologji humbësish që përket në rrafshin e luftës me nerva ose propagandave partiake. Ndërsa ekziston një rregull e pashkruar, ceremoniale që seancën ta drejtojë deputetei më i vjetër i zgjedhur, që në këtë rast është deputeti i Lëvizjes VV Adem Mikullovci”, ka theksuar ish-gazetari Matoshi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme