Mbahet takimi i Komisionit për Politikë Ndëshkimore, kryetari bën thirrje për zbatim të Udhëzuesit

Prishtinë | 25 Qer 2020 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Është mbajtur takimi i Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore, i kryesuar nga kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci. Për shkak të pandemisë Covid-19, anëtarët e këtij komisioni, përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane dhe përfaqësues të UNDP-së, janë takuar online, përmes platformës Zoom.

Gjatë këtij takimi, është diskutuar rreth implementimit të Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore, duke u vënë theksi në adresimin e kërkesave për më shumë trajnime në funksion të zbatimit të Udhëzuesit. Kryetari Peci ka folur para pjesëmarrësve për domosdoshmërinë që trajnimet të fillojnë sa më shpejt, dhe në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë, ato të mbahen edhe online, në rast të vazhdimit të gjendjes së njëjtë, si pasojë e pandemisë.

Kreu i Supremes, njëherësh kryesues i këtij Komisioni, i ka njoftuar të pranishmit me arsyet që po ndikojnë në mos-zbatim të duhur të Udhëzuesit, e që përfshijnë kryesisht keqkuptimin për shqiptimin dhe ashpërsinë e dënimeve. Ndaj, theksoi nevojën që, posaçërisht gjyqtarëve t’iu bëhet e qartë, se përkundrazi, Udhëzuesi është mjet lehtësues në punën e tyre. “Udhëzuesi i ndihmon profesionistët që gjatë vendimeve të tyre, qofshin ato me kusht, qofshin dënime të lehta, të japin arsye të qarta dhe të nxjerrin vendime të arsyetuara mirë”, theksoi ai.

Në këtë drejtim, kreu i Supremes, bëri me dije se si Komision, do të adresoi një letër në Këshillin Gjyqësor dhe në atë Prokurorial, me kërkesë që Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, gjatë vlerësimit, ta ketë parasysh edhe arsyetimin e dhënë rreth matjes së dënimeve, në vendimet e tyre. 

Tutje kryetari Peci, vuri në pah edhe nevojën, që si Komision të marrin përsipër analizimin e vendimeve gjyqësore, sa i përket respektimit të dispozitave ligjore, përfilljes së rrethanave lehtësuese e rënduese etj..

Pikë e rendit të ditës ishte edhe draft Udhëzuesi për Veprat Penale të Korrupsionit dhe nevoja për zgjerim të këtij materiali, zhvillimi i kalkulatorit te gjobës penale, njoftimi lidhur me punën në zhvillimin e Udhëzuesit per prokurorë etj..

Të ngjashme