Mbajtja në “terr” e propozimit franko-gjerman, opozita: Mungesë e guximit nga ana e qeverisë

Prishtinë | 06 Dhj 2022 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell, të martën ka bërë të ditur se propozimi final për planin franko-gjerman nga BE-ja u është dërguar Prishtinës dhe Beogradit.

Plani franko-gjerman ka qarkulluar deri tani në duart e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, por asnjëherë nuk është bërë e ditur se çfarë përmban ky plan në tërësi.

Por ajo që është deklaruar nga përfaqësues të BE-së është se propozimi franko-gjerman ka për qëllim vetëm normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas deklaratës së Borrellit, pranimin e draftit final të propozimit franko-gjerman e konfirmoi edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi në Komisionin për Punë të Jashtme, i cili deklaroi se propozuesit e këtij plani kanë kërkuar që përmbajtja të mbetet konfidenciale.

“Për propozimin që duhet të vendoset në tavolinë ka një dakordim mes propozuesve, Lajçak dhe 2 këshilltarëve të presidentit Macron dhe Scholz dhe në anën tjetër Kurtit dhe Vuçiq ka një darkordim që përmbajtja e këtij plani të mbetet konfidenciale, unë nuk mund të nxjerr detaje”.

Tashmë dihet qartë se drafti final i propozimit franko-gjerman është në duart e shefit të qeverisë dhe varet nga vullneti i tij, nëse këtë draft do ta diskutojë edhe me partitë opozitare.

Ndryshe, partitë opozitare gjithmonë janë shprehur të gatshme që të bashkëpunojnë dhe koordinojnë qëndrimet me qeverinë për procesin e dilogut, po megjithatë kritikat në adresë të qeverisë kanë vazhduar për shkak të mostransparencës nga kryeministri Kurti sa i përket dialogut.

Zëdhënësi i PDK-së Faton Abdullahu, në një prononcim për gazetën online InLajmi tha se mungesa e transparencës nga Qeveria e Kosovës mbi këtë çështje është e keqja më e madhe rreth planit franko-gjerman.

Abdullahu vlerëson se jotransparenca nga ana e Qeverisë së Kosovës po vjen si rezultat i “mungesës së guximit” për t’u përballur me planin franko-gjerman. Përveç kësaj, Avdullahu thotë se rreth këtij plani ka konfuzitet edhe brenda udhëheqësve institucional.

“Mungesa e transparencës nga qeveritarët mbi këtë çështje duket se është mungesë e guximit për t’u përballur me këtë ofertë por edhe përpjekje për ta minimizuar atë. Për më keq rreth tij ka shumë keqkuptime dhe keqinterpretime të cilat po determinohen nga kjo jo transparencë e pazakonshme. Përndryshe edhe vlerësimet e pushtetarëve mbi këtë plan janë konfuze me shumë hamendësime, duke filluar nga presidentja që thotë seai projekt nuk ekziston (Presidentja), pastaj se ai është i mirë për Serbinë (Zëvendëskryeministri) e deri tek ajo se ky projekt është serioz të cilën Borelli e ka braktisur (Kryeministri)”.

Nga PDK thonë se janë të gatshëm të ndihmojnë në çështjen e dialogut, nëse qeveria bëhet transparente.

“Qëndrimet dhe vërejtjet janë bërë publike kohë më parë nga kryetari Memli Krasniqi të përmbledhura në 5 shtylla për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi. Ndërkohë që jemi të gatshëm të ndihmojmë sidomos nëse ka përmirësime në transparencën, tashmë të munguar, gjë që do të ishte në të mirën e të gjithëve edhe opozitës edhe institucioneve relevante edhe qytetarëve edhe OJQ-ve, që të jemi më të konsoliduar e më efikas në këtë përballje me Serbinë”.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka ndonjë qëndrim sa i përket draftit final të propozimit franko-gjerman, sikur që nuk ka përgjigje nëse do t’i përgjigjen ftesës së mundshme të kryeministrit Kurti për të diskutuar lidhur me draftin në fjalë.

Nënkryetari i LDK-së Anton Quni, në një prononcim për gazetën online InLajmi nuk ka komentuar draftin e fundit final të propozimit franko-gjerman, ndërsa theksoi se qëndrimet e LDK-së lidhur me dialogun tashmë janë të qarta.

I pari i LDK-së Lumir Abdixhiku, disa javë më herët ka deklaruar se plani franko-gjerman ka elemente të mira, por brenda tij është edhe Asociacioni. Ai ka thënë se plani franko-gjerman është bazë për arritjen e një marrëveshjeje finale.

Quni nuk e mohoi as e pohoi pjesëmarrjen e LDK-së nëse kryeministri Kurti i fton për ta shqyrtuar draftin final të planit franko-gjerman.

“Nëse marrim ftesë nga kryeministri Kurti do ta shqyrtojmë brenda kryesisë ftesën dhe si kryesi do të marrim vendim nëse do të shkojmë në takim ose jo”.

Të ngjashme