Mbërrin grupi i parë prej 111 afganëve në Kosovë, do të vendosen në ish-kampin e Bechtelit

Prishtinë | 29 Gus 2021 | 21:07 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka mbërritur grupi i parë me afganë në Kosovë mbrëmjen e sotme. Mësohet se në grupin e parë janë 111 qytetarë nga Afganistani.

Atyre së pari do t’u bëhen kontrolle shëndetësore dhe do t’u jepen edhe vaksina kundër COVID-19.

Ata zbritën në aeroportin kombëtar të Prishtinës sonte në mbrëmje.

Merret vesh se grupi i parë do të strehohet në ish-kampin e kompanisë Bechtel & Enka, që gjendet afër bazës ushtarake “Bondsteel” afër Ferizajt.

Në aeroportin e Prishtinës ishin presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti si dhe ambasadori i SHBA-së, Phillip Kosnett.

Osmani ka thënë në një konferencë për media nga Aeroporti i Prishtinës, se me këtë veprim, Kosova po qëndron pranë partnerëve ndërkombëtar.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është nder për të dhe Kosovën t’u ndihmojnë këtyre refugjatëve.

“Refugjatëve afganë të cilët janë të dëshpëruar që kanë lëshuar shtëpitë e tyre, u kemi dëshiruar mirëseardhje dhe u kemi thënë se janë mysafirët tanë dhe janë të sigurt”, tha Kurti.

Forca të shtuara të policisë së Kosovës janë parë në dhe përreth aeroportit për të siguruar ardhjen e këtij grupi të afganëve në vend.

Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të saj, në deklaratën ku sigurohet se të gjithë qytetarët e huaj dhe afganët që kanë punuar me entitetet e huaja, do të mund të largohen nga Afganistani.

Pos Kosovës, edhe Shqipëria ka pranuar refugjatët afganë.

Strehimi i tyre është i përkohshëm, deri në përmbylljen e procesit të dokumentacionit për emigrim në SHBA apo në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian.

Pos ekzekutive në Kosovë e Shqipëri, edhe partitë opozitare shqiptare janë shprehur pro strehimit të refugjatëve afganë.

Përpos çështjes humaniste, nga figurat politika është shprehur edhe gatishmëria e të qenuarit në një linjë me SHBA-të.

Grupi militant mori pushtetin në Kabul, pasi SHBA-të filluan të largoheshin nga Afganistani. 31 gushti është data e fundit e cila është vendosur për largimin e tërësishëm amerikan nga vendi që tash qeveriset prej talebanëve.

Të ngjashme