Mbi 200 kravata vendosen te rrethojat e Qeverisë, i dhurohen kryeministrit

Prishtinë | 26 Dhj 2017 | 12:21 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mbi 200 kravatat e mbledhura bashkë me këmisha të dhuruara nga qytetarë me rastin e aksionit të organizuar janë vendosur në rrethojat e Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

Këshilltari për media i kryeministri Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, shpërndau raportin 100 ditësh të punës së Qeverisë dhe disa kartolina me anë të të cilave Haradinaj ka uruar festat e fundvitit. Ai nuk ka hezituar që të vendosë edhe një kravatë.

Njëri nga minatorët e Trepçës hodhi disa cent si ndihmë për kryeministrin. “Selam nga minatorët”, tha ai.

Të njëjtën gjë e bëri edhe një mësues. “Unë jam që 40 vjet punëtor i arsimit”, u shpreh ai. Ndërsa regjisori Sokol Plakolli vendosi që kryeministrit t’i dhurojë këmishen dhe qorapat e tij.

Kushtrim Mehmeti, nga organizata “Beyond the Wall”, tha se është e pakuptimtë që një kryeministër i një vendi të varfër si Kosova të rrisë rrogën në këtë formë.

“I kërkojmë kryeministrit që për gjëra subjektive le ta ulë pagën. Dhe i premtojmë që për të tilla gjëra, popullin do ta ketë afër. Qoftë edhe me shty kerre. Kjo është iniciativa jonë, e një grupi të rinjsh. Ne kërkojmë veç respekt, në mënyrë që të punojmë për ta ndërtuar të ardhmen. Ne nuk kemi asgjë personale me kryeministrin Haradinaj. Por këto vendime janë jo të mira për popullin e Kosovës”.

“Ne jemi popull solidar. Unë gati sa nuk qava kur e pashë sot njërin që e hoqi kravatën për ta lënë këtu. Ramush Haradinaj është kryeministër i një populli të varfër. Një populli që ndoshta jeton me 200 euro, por nuk e ka problem një kravatë. Ai nuk duhet ta harrojë kurrë që përfaqëson një popull që nuk është i pasur”.

Ditë më parë kryeministri Ramush Haradinaj, arsyetoi rritjen e pagës së zyrtarëve të kabinetit të tij, duke thënë se ndihet i obliguar për ndonjë këmishë apo kravatë për punën e tij zyrtare.

Të ngjashme