Mblidhet KQZ-ja e re në përbërje jo të plotë

Prishtinë | 26 Maj 2021 | 14:12 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e parë, pas betimit të anëtarëve që u nominuan nga grupet parlamentare të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, për të diskutuar në lidhje me aktivitetet e KQZ-së, raporton Ekonomia Online.

Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i PDK-së, Arianit Elshani, tha se është e nevojshme që sa më parë të miratohet plani i punës.

“Nëse e shtyjmë këtë atëherë mund të bllokohet edhe puna e KQZ-së”, tha Elshani.

Alim Rama nga VV-ja, tha se duhet të ketë një ditë të caktohet për formimin e këshillave.

“Sa i përket këshillave mendoj që është me rëndësi të shihet edhe përvoja e dy anëtarëve të ri, se mos emërimi këshillave të KQZ-së nuk e paralizon punën”.

Aktualisht përbërja e re e KQZ-së ka dy anëtarë më pak, pra 9 nga 11, pasi Presidentja e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Vetëvendosje pretendon se këtij subjekti i takojnë tre anëtarë në KQZ. Presidentja e vendit i ka emëruar vetëm dy prej kësaj partie, por njëjtë nuk ka vepruar me PDK-në, ndonëse kjo parti e kishte dërguar propozimin e dytë. Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti se “përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese po tentojnë që t’ia vjedhin PDK-së përfaqësimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ia ka dhënë Kushtetuta”.

Sipas PDK-së, Presidentja Osmani po tenton t’i bëjë vend në KQZ anëtarit të tretë të Vetëvendosjes, e që në këtë rast emri i tretë i propozuar nga ky subjekt politik është ish-kandidatja për deputete nga radhët e subjektit politik të Osmanit, Lista “Guxo”, Gresa Bytyqi Kelmendi.

Po ashtu, Presidentja e vendit nuk ka emëruar as anëtarin e subjektit më të votuar nga radhët e komunitetit boshnjak, VAKAT-it, edhe pse ky subjekt e kishte dërguar propozimin. Presidentja Osmani nuk ka marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, por numrin e deputetëve që kanë tri subjektet politike boshnjake. Ajo ka kërkuar sqarime lidhur me “emërimin e përfaqësuesit nga komuniteti boshnjak kur kemi tri subjekte politike në Kuvend të cilat e përfaqësojnë këtë komunitet dhe kanë numër të barabartë të deputetëve të përfaqësuar në Kuvend”.

Të ngjashme