Mblidhet LDK-ja, Mustafa thotë se Qeveria votohet më së largu të hënën

Prishtinë | 29 Maj 2020 | 11:12 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur kryesinë e partisë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatimin për kryeministër Avdullah Hotit, raporton Ekonomia Online.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se sot gjatë ditës kanë takim konsultativ me organet e partisë, derisa, shtoi se seanca për votimin e qeverisë në krye me Avdullah Hotin sipas të gjitha gjasave do të thirret për nesër.

“Sot kemi takim konsultativ me organet e partisë. Të shtunën ose të hënën pritet të thirret seanca”.

Mustafa, u ka bërë thirrje të gjithëve të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me formimin e Qeverisë së re.

Ai para gazetarëve deklaroi se LVV ka të drejtë të mendojë dhe deklaroi çfardo lidhur me këtë vendim të Kushtetueses.

“Unë mendoj së s’ka kurrfarë skandaliteti këtu çdo gjë është bërë në frymën dhe shkronjat e Kushtetutës”.

“Mirëpo si subjekt kanë të drejt ta vlerësojnë unë ju kisha ftuar që ta respektojmë të gjithë vendimin e Kushteueses”.

Ndërsa i pyetur se si LDK do të përballet me vështirësitë e kalimit në zyrat qeverisëse për shkak të disa deklaratave të LVV, Mustafa u përgjigj se nuk preferohet që askush të qëndroj në zyre pas zgjedhjes së Qeverisë së re nga Kuvendi.

“Në momentin kur Kuvendi zgjedh Qeverinë e re, ajo Qeveri që ishte më herët nuk ka mandat”.

“Privatisht askush nuk preferohet të qëndroj pas kësaj në zyrën e kryeministrit dhe në zyrën e ministrave sepse ai qëndrim është jo ligjor dhe kushtetues”.

“Nuk pres që Kurti dhe VV-ja do ta sfidojnë veten me një gjë të tillë, pasi kjo nuk është praktikuar asnjëherë në Kosovë”.

“Kam lexuar se kjo është praktikuar në disa vende të Afrikës që kanë vepruar kështu mirëpo kanë qenë  regjime ushtarake dhe nuk kanë qenë regjime demokratike, pasi në demokraci nuk veprohet kështu”.

Megjithatë, në LDK ende nuk kanë vendosur për emrat që do të propozojnë për ministra.

Tashmë kjo parti ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me AAK-në, Nismën, Listën Serbe e minoritete.

Kurse nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri pati thënë për Ekonomia Online se pas vendimit të Gjykatës Kushtuese rreth dekretit, të presidentit Hashim Thaçi, për 24 orë do ta formojnë Qeverinë e re që pritet ta udhëheq kjo parti.

Haziri pati potencuar se 24 orë janë të mjaftueshme që të ketë institucione të reja ekzekutive.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë për Ekonomia Online se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër për 48 orë do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re.

Në mbrëmjen e së enjtes Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.

Sipas vendimit të bërë publik, gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.

Të ngjashme