Mblidhet qeveria në detyrë, miraton katër pika

Prishtinë | 05 Nën 2019 | 14:38 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria në detyrë e Kosovës mbajti mbledhjen e radhës për buxhetin në të cilën u shqyrtua propozim-vendimi për kursime dhe ndarje buxhetore të organizatave buxhetore, raporti i Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet nëntëmujore dhe propozim-vendimi për rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit , raporton Ekonomia Online.

Duke vepruar sipas kërkesës së Ministrisë së Financave, Qeveria në detyrë ka miratuar vendimin për kursimet dhe ndarjet buxhetore ndërmjet organizatave buxhetore për vitin 2019. Vendimi mbështetet në nenin 15 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019. Ai është hartuar në bazë të kursimeve të deklaruara nga organizatat buxhetore për mjetet financiare për vitin 2019 dhe ka për qëllim që të ngritë efikasitetin e ekzekutimit të buxhetit në përmbyllje të vitit fiskal 2019.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se vendimi do të sigurojë vazhdimin e mbështetjes dhe përkujdesjes në veçanti për kategoritë sociale.

Janë evidentuar mbi 31 milionë euro të kursyera nga organizatat buxhetore dhe ato do të shpërndahen në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Administratës Publike, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Qeveria në mbledhjen e sotme, ka shqyrtuar Raportin e Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet për periudhën nëntë mujore të vitit 2019. Raporti evidenton se në këtë periudhë janë realizuar të hyra të përgjithshme në vlerë prej 1 miliard e 676 milionë euro, ndërsa shpenzimet janë në vlerën 1 miliard e 407 milionë euro.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi për rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Velani.

Qeveria ka ndarë mjete në vlerë prej 42 mijë euro, për angazhimin e ekspertëve që do të punojnë në përfitimin e fondeve nga projektet MCC.

Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza, foli për gjendjen financiare dhe buxhetin e kursimet.

“MF-ja ka bërë procesverbale, kursimet janë mbi 31 milionë euro. Për menaxhimin e financave, ministria përgatitë raport  9 mujor. 1 miliardë e 400 mijë euro janë rezultat i rritjeve buxhetore, bilanci i fondeve është 657 milionë euro”.

Të ngjashme