Mbrojtja e ish-krerëve të OVL-UÇK-së do të fillojë paraqitjen e provave më 6 dhjetor

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtja e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati do të paraqes provat më 6 dhjetor.

Kështu ka njoftuar Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilët kanë shtuar se më datë 2 dhe 3 dhjetor do të mbahet konferencë përgatitore për mbrojtjen.

Gjithashtu, është bërë e ditur se mbrojtja do të dorëzojë mocionet për rrëzimin e akuzave brenda datës 17 nëntor.

“Sot, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Gucati dhe Haradinaj caktoi 6 dhjetorin si datë provizore për nisjen e paraqitjes së provave prej mbrojtjes, paraprirë prej konferencës përgatitore për mbrojtjen më 2-3 dhjetor. Gjithashtu, ZPS-së iu kërkua të paraqesë njoftim zyrtar mbi mbylljen e çështjes së vet deri më 10 nëntor, kurse pritet që mbrojtja të dorëzojë mocionet e veta për rrëzimin e ndonjë prej akuzave ose të gjitha akuzave në bazë të rregullës 130, brenda datës 17 nëntor”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë, ata akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të ngjashme